Aksident tragjik në aksin Fier-Seman, humb jetën 65-vjeçari, automjeti përfundon në kanal

Aktualitet | 6 muaj më parë

Një ngjarje e rëndë rrugore me pasoja fatale është regjistruar pasditen e sotme në qarkun e Fierit, ku një i moshuar ka humbur jetën tragjikisht pasi u përplas nga një automjet. Aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor Fier- Seman.

Sipas të dhënave nga terreni, goditja mes mjetit motorik dhe biçikletës, me të cilën udhëtonte viktima, ka qenë me një forcë të madhe. Për pasojë, automjeti ka humbur kontrollin duke dalë jashtë karrexhatës duke përfunduar në kanalin anësor të rrugës.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, strukturat e emergjencës u vunë në lëvizje. Në vendin e aksidentit mbërritën tre autoambulanca me shpresën për t’i dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit, por për 65-vjeçarin çdo ndërhyrje rezultoi e pamundur pasi kishte ndërruar jetë nga plagët e marra.

Lidhur me këtë ngjarje, Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka dalë me një njoftim zyrtar paraprak, duke identifikuar me iniciale personat e përfshirë.

“Rreth orës 17:10, në aksin rrugor ‘Fier-Seman’, shtetasi A. K., 31 vjeç, duke drejtuar automjetin është përfshirë në një aksident rrugor me biçiklistin, shtetasin B. Xh., rreth 65 vjeç. Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë në vendngjarje shtetasi B. Xh. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit shtetasin A. K., për veprime të mëtejshme.”, njoftoi policia.

Aktualisht, shërbimet e Policisë Rrugore kanë menaxhuar qarkullimin në këtë aks, ndërsa grupi hetimor po kryen matjet dhe veprimet e nevojshme në terren. Ekspertët po analizojnë rrethanat për të zbardhur plotësisht shkaqet që çuan në këtë aksident fatal.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme