Aksidentet e turistëve pa udhërrëfyes, shërbimi zjarrfikës: Rrezikohen nga relievi e kafshët e egra

Aktualitet | 4 muaj më parë

Shqipëria po vizitohet çdo ditë e më shumë nga turistë të huaj në këtë sezon turistik veror, ku ka edhe nga ata që ndërmarrin iniciativa personale për të eksploruar natyrën e bukur shqiptare, sidomos zonat malore, pa udhërrëfyes.

Shërbimi i zjarrfikësve, por edhe institucione të tjera, janë përballur me katër raste të tilla vetëm gjatë muajit qershor. Ekspertët u bëjnë thirrje turistëve të tregojnë kujdes, pasi në situata të tilla përballen me aksidente, por edhe me kafshët e egra.

“Vetëm muajin e kaluar kemi ndërhyrë në mbi katër raste që përfshinin turistë. Dy prej tyre kanë qenë raste me dëmtime të vetë turistëve, si pasojë e rrëzimeve në zonat e thella malore. Është dashur të ndërhyjë edhe helikopteri për të transportuar mjekun pranë të dëmtuarit, në mënyrë që të merrte ndihmën e parë”, shprehet eksperti.

Për të mundësuar ndërhyrje sa më të shpejta nga ajri, toka dhe uji, operacione që në disa raste zgjasin me orë të tëra, në Tiranë dhe në disa bashki të tjera janë ngritur grupe kërkim-shpëtimi.

“Shumë turistë, duke mos qenë të orientuar dhe duke ndërmarrë hapa të gabuar, pa një udhërrëfyes në male apo bjeshkë, humbasin drejtimin. Ata rrezikohen jo vetëm nga kafshët e egra, por edhe nga rrëzimet dhe aksidentet. Tashmë kemi një skuadër kërkim-shpëtimi në Tiranë, por edhe në disa bashki të tjera, në mënyrë që qytetarët dhe turistët të marrin ndihmën në kohë”, theksojnë specialistët.

Rasti më i fundit u regjistrua pak ditë më parë në Gjipe, ku u deshën tetë orë përpjekje intensive të policisë dhe shërbimeve të tjera në një terren të thepisur dhe me rrezik për jetën për të lokalizuar dhe shpëtuar katër turistë polakë. Në operacionet e kërkim-shpëtimit angazhohen efektivë të Delta Force, Policisë së Shtetit, helikopterë të Forcave të Armatosura, alpinistë, zjarrfikës dhe ekipe mjekësore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme