Aksioni për lirimin e hapësirave publike, në Kukës procesi vijon me mirëkuptim dhe pa kundërshtime

Në Kukës, prej tre ditësh ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike, ku disa nga bizneset kanë çmontuar vullnetarisht strukturat e vendosura në trotuare dhe hapësira të tjera të përbashkëta.
Sipas Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të Bashkisë Kukës, janë njoftuar 139 subjekte për lirimin e hapësirave, ndërsa 30% prej tyre kanë vepruar vullnetarisht duke çmontuar strukturat e vendosura kryesisht në trotuare.
“Mbi 30 për qind kanë vazhduar të çmontojnë platformat metalike në lirimin e hapësirave publike. Them me kënaqësi që kemi bashkëpunimin e tyre. Po vazhdojmë me çmontimet edhe në mënyrë vullnetare duke bërë hapësira sa më të aksesueshme për qytetarët”, tha Armand Oruçi, Drejtor i IMT-së në Kukës.
Ndërhyrjet fillimisht po fokusohen në rrugët kryesore të qytetit, me synim lirimin e trotuareve për kalimin e qytetarëve. Më pas, aksioni do të shtrihet edhe në lagjet e Kukësit.
“Patjetër që do të ketë ndërhyrje edhe në lagje të qytetit, por momentalisht kemi përqendruar në rrugët kryesore të qytetit, në subjekte si njësi shërbimi, lokale. Fillimisht të bëjmë sa më të aksesueshëm trotuaret, pastaj do të ndërhyjmë edhe në infrastrukturën e brendshme.”, tha Oruçi.
Ndërhyrjet në Kukës janë pjesë e aksionit të gjerë për lirimin e hapësirave publike në të gjitha bashkitë e vendit. Me këtë iniciativë synohet që hapësirat publike të jenë të aksesueshme dhe funksionale për të gjithë banorët.
Gazetare: Sh. Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




