Akti Normativ rrit buxhetin e Mbrojtjes, Vengu prezanton ndarjen e fondeve

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka bërë publike detajet e rishpërndarjes buxhetore që parashikon Akti Normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2025, duke theksuar mbështetjen e shtuar për Forcat e Armatosura dhe nevojat e tyre operacionale.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Vengu deklaroi se buxheti i ri i Mbrojtjes synon të forcojë kapitalin njerëzor dhe kapacitetet operacionale të ushtrisë, të nisë prodhimin e armatimit dhe pajisjeve ushtarake “Made in Albania”, si dhe të financojë projekte në infrastrukturën kritike.
Sipas tabelave të publikuara nga ministri, fondet do të shpërndahen si më poshtë: 339 milionë lekë për operacione dhe misione jashtë vendit, për rritjen e gatishmërisë operacionale dhe mbështetjen e Spitalit Universitar të Traumës; 619 milionë lekë për forcimin e kapitalit njerëzor, që përfshin personelin ushtarak dhe civil të sistemit të mbrojtjes; 56 milionë lekë për investime në infrastrukturën kritike ushtarake.
Kujtojmw se gjatë mbledhjes së fundit të Komisionit të Ligjeve, ministri i Financave, Petrit Malaj, konfirmoi se në kuadër të rishikimit të tretë të buxhetit të shtetit për këtë vit, Ministria e Mbrojtjes do të përfitojë një shtesë prej rreth 1.9 miliardë lekësh.
Kjo shumë do të përdoret për të mbështetur Forcat e Armatosura, duke përfshirë nevojat operacionale dhe përforcimin e kapaciteteve të personelit.
Ky rishikim buxhetor synon të rrisë aftësitë mbrojtëse të vendit dhe të sigurojë funksionimin efikas të strukturave ushtarake, në përputhje me prioritetet strategjike të Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.










