Akuzohen për shpërdorim detyre/ Kryebashkiaku i Tropojës dhe zv.kryetari zgjedhin gjykim të zakonshëm

Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi dhe zv.kryetari Abedin Kërnaja, do të gjykohen me procedurë të zakonshme.
Gjyqtarja e themelit Atalanta Zeqiraj konstatoi se të pandehurit për shpërdorim detyre nuk kishin bërë kërkesë për gjykim të shkurtuar në seancë paraprake.
Prokurori Elvin Gokaj lexoi kërkesën për gjykim dhe i mëshoi një ekspertimi që është kryer në zbatim edhe të detyrave të lëna nga gjykata, ku është konstatuar dëmi ekonomik. Prokurori i SPAK kërkoi të thirren në proces 10 dëshmitarë, si dhe bëri me dije emrat që janë pyetur gjatë kësaj kohe në cilësinë e personave që kanë dijeni.
Gjykata bëri edhe verifikimin e të pandehurve dhe gjeneraliteteve ku kryebashkiaku i Tropojës u shpreh se jo vetëm që nuk është i dënuar më parë, por s’ka marrë një vërejtje në 35 vite punë.
Kryebashkiaku dhe zv/kryetari i bashkisë Tropojë akuzohen për “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim lidhur me ndërtimin e disa rrugëve në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi.
Prokuroria vlerëson se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277 milionë lekësh.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



