Akuzohen si vrasës me pagesë në Greqi, Policia e Shtetit zbulon “bazën” në Gjirokastër, sekuestrohet arsenali i armëve

Aktualitet | 11 muaj më parë

Një operacion i koduar “Provat”, i zhvilluar falë bashkëpunimit intensiv mes Policisë së Shtetit dhe asaj Greke, ka zbuluar një arsenal armësh në jug të vendit, duke hedhur dritë mbi aktivitetin e një grupi të rrezikshëm kriminal që operonte si vrasës me pagesë.

Pas arrestimit të katër shtetasve shqiptarë në Greqi dy ditë më parë, Policia Shqiptare ka ndërmarrë veprime të menjëhershme duke ushtruar kontrolle në banesat e tyre në Gjirokastër, Vlorë dhe Lezhë.

Pika kyçe e operacionit ishte fshati Labovë e Kryqit në Gjirokastër. Në banesën e njërit prej të arrestuarve në shtetin fqinj, shtetasit Dh. M., 45 vjeç, policia gjeti të fshehura armë të rënda, të cilat dyshohet se janë trafikuar.

“Në kuadër të bashkëpunimit mes Policisë shqiptare dhe Policisë greke, pas shkëmbimit të informacionit për kapjen e disa shtetasve shqiptarë në Greqi, të dyshuar si vrasës me pagesë, strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër, Vlorë dhe Lezhë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Provat”, zhvilluan kontrolle në banesat e këtyre shtetasve”, njofton policia.

Sipas njoftimit zyrtar, “u sekuestruan 3 armë zjarri automatike (2 kallashnikovë dhe një automatik tjetër); 200 fishekë kallashnikovi; 18 pako me fishekë pistolete; 5 krehra”.

Këto armë do të dërgohen menjëherë në Institutin e Policisë Shkencore për ekspertim teknik, për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale brenda apo jashtë vendit.

Të dyshuar si vrasës me pagesë

Operacioni, sipas policisë, “vjen pas shkëmbimit të informacionit për një grup shqiptarësh të arrestuar në Greqi, të cilët akuzohen për vrasje dhe pjesëmarrje në grupe kriminale”.

“Me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasve shqiptarë Dh. M., 45 vjeç, banues në Labovën e Kryqit Gjirokastër; A. B., 32 vjeç, banues në Kudhës Himarë; F. P., 39 vjeç, banues në Lezhë; dhe P. Th., 31 vjeç, banues në Muzinë Sarandë, të dyshuar si vrasës me pagesë, strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, ato të DVP Gjirokastër, Vlorë e Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet e thelluara duke koordinuar dhe bashkëpunuar ngushtësisht me homologët grekë.”, njofton policia.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme