Albana Koçiu: Dhuna digjitale nuk është “shaka”, kërkon ndërgjegjësim dhe kulturë të re komunikimi

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka theksuar sot se lufta kundër dhunës digjitale është një betejë e përbashkët, e cila nuk mund të fitohet vetëm me ligje, por kërkon ndërgjegjësim, edukim dhe respekt në hapësirën online.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Koçiu u shpreh se “dhuna në rrjet nuk është ‘shaka’, është një fenomen që dëmton jetë dhe duhet trajtuar e ndëshkuar si i tillë”.
Ajo bëri të ditur se në Kodin e ri Penal po forcohen mekanizmat mbrojtës, duke përfshirë bullizmin online, përndjekjen dhe dhunën psikologjike.
Megjithatë, ministrja theksoi se “as ligji më i mirë nuk mjafton pa ndryshuar kultura”.
Sipas saj, dhuna digjitale ushqehet nga gjuha që përdorim dhe ajo që tolerojmë online, ndaj kjo betejë kërkon një angazhim të gjerë shoqëror.
“16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore janë momenti më i mirë për të kuptuar një të vërtetë shumë të thjeshtë: dhuna nuk luftohet dot vetëm”, tha Koçiu, duke shtuar se shteti nuk mund ta fitojë këtë betejë i vetëm apo thjesht përmes rritjes së policimit online.
Sipas saj, nëse duam ta luftojmë seriozisht dhunën digjitale, nuk mjafton të shtohen procedimet penale apo të përmirësohen ligjet, por duhet të ndryshojmë kulturën, gjuhën dhe sjelljen.
Në këtë kuadër, Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, ka dizenjuar programe ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi në shkolla, për sigurinë në rrjet dhe për njohjen e të rinjve me shkeljet që mund të përbëjnë vepra penale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




