Aldi Mustafa, tri atentate në dy vite, i përfshirë në disa ngjarje kriminale, disa herë i arrestuar

Aktualitet | 1 vit më parë

Erald apo Aldi Mustafa, i cili u prangos pasditen e së mërkurës në Shkozet të Durrësit, është emër jo pak i njohur për autoritetet policore.

Tridhjetenëntëvjeçari njihet si mik i ngushtë i Aleksandër Lahos, ose “Rrumi i Shijakut”, ndërsa prej kohësh është kategorizuar nga Policia si person me rrezikshmëri të lartë.

Mustafa është person që dyshohet se është përfshirë në disa ngjarje kriminale, përfshirë tri atentate që ka pësuar gjatë viteve të fundit.

Më 3 prill të vitit 2023, automjeti në pronësi të 39-vjeçarit Erald Mustafa shpërtheu me lëndë plasëse në aksin Shkozet–Durrës, ndërsa ai po udhëtonte i vetëm. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar.

Ai u arrestua në shtatorin e po atij viti, pasi policia kishte dyshime se po përgatitej për hakmarrje pas atentatit të dështuar që iu bë.  Në mjetin e tij u gjet një armë zjarri “Scorpion” me silenciator dhe municion luftarak.

Ndërsa në muajin gusht të këtij viti, Erald (Aldi) Mustafa u shpall në kërkim policor, i dyshuar si autor i vënies së një sasie tritoli në banesën e Ilir Gjeçajt.

Erald (Aldi) Mustafa rezulton të jetë dënuar me 10 vjet burgim në Gjermani për veprat penale “kanosje” dhe “prodhim dhe shitje narkotikësh”, ndërsa në Shqipëri ai ndër vite është arrestuar dhe lënë i lirë nga drejtësia, disa herë.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme