Alibali në “3D”: Me Klodjan Brahon fituam një administrator, por kam frikë se humbëm një prokuror të zotin
Zgjedhja e Klodjan Brahos në krye të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është komentuar nga juristi Neritan Alibali si një lëvizje me dy anë të medaljes.
I ftuar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH, Alibali vlerësoi figurën e Brahos bazuar në opinionet e ekspertëve, por shprehu dyshime se zgjedhja e tij po “tërheq” nga terreni një hetues të aftë për ta vendosur atë në zyrë.
Sipas juristit, pozicioni i drejtuesit të SPAK-ut është kryesisht menaxherial dhe kjo e largon atë nga hetimi i dosjeve.
“Na duket se kemi fituar një administrator, por kam frikë se kemi humbur një prokuror shumë të mirë. Detyrat që ka kreu i SPAK-ut lidhen më së shumti me menaxhimin. Prokurorët kanë pavarësinë e tyre, por imazhi publik i institucionit mbetet kreu,” tha Alibali.
Ndryshe nga perceptimi publik, Alibali theksoi se suksesi i SPAK-ut nuk duhet të matet me numrin e prangosjeve, por me qëndrueshmërinë e vendimeve në kohë. Ai ngriti alarmin se prova e vërtetë do të jetë përballja me Gjykatën e Strasburgut.
“Rezultati i SPAK-ut do të verifikohet pas shumë vitesh, kur të vijnë edhe vendimet e Strasburgut. Kryetari i SPAK duhet të jetë një person që u tërheq vërejtje prokurorëve kur ata shkelin të drejtat e njeriut gjatë procesit,” nënvizoi ai.
Duke përdorur një metaforë, juristi përmblodhi pritshmëritë e tij: “Unë jam me atë shprehjen ‘nuk ka rëndësi çfarë gjuan macja, rëndësi ka që të kapë mijtë’. Nuk kanë rëndësi pikëpamjet politike, nëse prokurorët kanë integritet.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




