Alibeaj: Komisionet hetimore, pazari i ‘Rithemelimit’ me Ramën nuk e fsheh dot të vërtetën

Marrëveshja mes PS dhe ‘Rithemelimit’ për komisionet hetimore, është komentuar të enjten nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Alibeaj shprehet se ky është vetëm një pazar i ‘Rithemelimit’.
“Ngushtimi i objektit të hetimit të komisionit parlamentar të koncesioneve të shëndetësisë, nga 4 në 2, është pazari i radhës mes Foltores dhe Ramës”, shkruan Alibeaj.
Sipas tij, të katër koncesionet në shëndetësi, ai i dializës, check up-it, pajisjeve të laboratorëve dhe sterilizimit janë abuzive dhe dëmtojnë interesat e qytetarëve.
“Përzgjedhja për hetim vetëm i sterilizimit dhe check-up-it (SPAK ndërkohë e mbaroi hetimin e tyre) dhe lënia jashtë hetimit i dializës dhe laboratorëve, është pazar dhe arsyet e vërteta i dinë ata që para 6 muajsh e nisën kërkesën për të hetuar 4 koncesione, e sot bëhen gati të votojnë vetëm për 2”, shprehet Alibeaj.
Sipas tij, ‘Rithemelimi’ bojkotoi muaj të tërë parlamentin, ndezi revolucionin me tymuese duke u shitur për interesat e oligarkut të radhës.
“E megjithatë, të vërtetën nuk e fshehin dot sado të mundohen”, përfundon Alibeaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




