Altin Dumani në Kuvend: Lufta kundër korrupsionit po jep rezultate konkrete, 65 milionë euro pasuri të konfiskuara
Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, paraqiti sot në Kuvend raportin vjetor të veprimtarisë për vitin 2024, duke evidentuar rezultate të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Dumani theksoi se, “Raporti vjetor i SPAK për vitin 2024 synon të evidentojë progresin e arritur në zbatimin e rekomandimeve të Bashkimit Evropian, të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë dhe të prioriteteve të Këshillit të Ministrave, duke u përqendruar në aspektet cilësore të punës hetimore dhe gjyqësore, si dhe në forcimin e besimit publik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, që mbeten shtylla themelore të veprimtarisë së institucionit”.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2024 në Kuvend, ka theksuar se veprimtaria e institucionit që ai drejton është vlerësuar pozitivisht nga partnerët ndërkombëtarë, duke reflektuar progresin e prekshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Veprimtaria e SPAK është vlerësuar pozitivisht në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2024, ku theksohet roli i institucionit në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së,” u shpreh Dumani para deputetëve, duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit institucional në përmbushjen e rekomandimeve evropiane.
Ai shtoi se edhe partnerët amerikanë kanë evidentuar kontributin e SPAK në dokumente strategjike të nivelit të lartë.
“Në Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar kundër Narkotikëve për vitin 2025, Departamenti Amerikan i Shtetit ka nënvizuar disa nga hetimet e suksesshme të SPAK, duke evidentuar kontributin e tij në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” tha Dumani, duke e cilësuar këtë si një tregues të besimit dhe mbështetjes ndërkombëtare ndaj institucionit.
Sipas tij, puna e SPAK ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë edhe në perceptimin global për integritetin institucional në Shqipëri.
“Si rezultat i këtyre përpjekjeve, Shqipëria ka përmirësuar me 5 pikë rezultatin e saj në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024, sipas organizatës Transparency International, duke reflektuar ndikimin konkret të punës së SPAK në perceptimin ndërkombëtar për integritetin institucional,” deklaroi Dumani.
Në fjalën e tij, Dumani theksoi se “SPAK i ka dhënë një rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar. Në këtë kontekst, është forcuar Sektori i Hetuesve Financiarë nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve njerëzore kryesisht në hetimet financiare dhe pasurore me veprime komplekse brenda dhe jashtë vendit ku përfshihen edhe veprimet me kriptovaluta. Gjatë vitit 2024, me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë është finalizuar nxjerrja e një udhëzimi të përgjithshëm për masat administrative dhe procedurale për kryerjen e hetimit financiar dhe pasuror në SPAK. Ndërkohë që për pasuritë e konfiskuara kjo vlerë arrin në shumën rreth 36,7 milionë euro. Kështu, vlera e pasurive të sekuestruara zë rreth 43,8% të vlerës totale, ndërsa pasuritë e konfiskuara zënë rreth 56,2% të vlerës totale. Krahasuar gjithashtu me vitin 2023, vihet re një rritje në masën rreth 59,7% e vlerës totale të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara (rreth 65,5 milion euro në vitin 2024 kundrejt rreth 41 milion euro në vitin 2023).”
Ai bëri të ditur se SPAK ka hetuar 33 ish-zyrtarë të lartë, nga të cilët 19 janë dërguar në gjykim dhe 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë, duke reflektuar angazhimin e institucionit për ndjekjen penale të korrupsionit në nivelet më të larta të administratës.
Altin Dumani gjatë fjalës së tij tha se Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) “ka vlerësuar punën e SPAK-ut”.
Po ashtu ai, theksoi indeksi i perceptimit të korrupsionit është përmirësuar në Shqipëri. “Në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024, Shqipëria vlerësohet me 42 pikë, duke e përmirësuar indeksin e perceptimit të korrupsionit me 5 pikë në raport me një vit më parë. Transparency International ka njohur rolin e SPAK në rritjen e besimit të publikut. SPAK i ka dhënë një rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar.”, ka deklaruar Dumani gjatë fjalës së tij.
Vijon.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




