Ambasadori i SHBA-së në OKB: Ka ardhur koha që misioni i UNMIK-ut të tërhiqet nga Kosova

Kosovë | 1 vit më parë

Përfaqësuesi dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Jeff Bartos, deklaroi sot në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së se ka ardhur koha që misioni i UNMIK-ut (Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë) të tërhiqet nga Kosova.

Ai argumentoi se situata e sigurisë në vend nuk e justifikon më praninë e këtij misioni.

“Nuk ka krizë sigurie në Kosovë dhe UNMIK-u nuk ka rol në qeverisjen e Kosovës. Koha ka ardhur të tërhiqet misioni. Ne çmojmë përpjekjet e UNMIK-ut për dialog. Realiteti është se UNMIK-u është një mision paqeruajtës, pa paqeruajtës që punojnë në funksione që duhet të kryhen nga organizata të tjera,” tha Bartos gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit.

Sipas Bartos, përgjegjësitë e UNMIK-ut mund të transferohen te organizata të tjera ndërkombëtare ose institucionet vendore të Kosovës, të cilat tashmë kanë kapacitete të mjaftueshme për të menaxhuar çështjet e brendshme.

Bartos ka nënvizuar gjithashtu qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për nevojën e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke u bërë thirrje të dyja palëve të shmangin veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të tensioneve.

“SHBA-ja nxit Kosovën dhe Serbinë të përmbahen nga masat eskaluese dhe të ndërtojnë paqen dhe stabilitetin me njohjen si qëllim përfundimtar,” tha ai, duke ripohuar mbështetjen e Uashingtonit për një zgjidhje përfundimtare që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

UNMIK-u u themelua në vitin 1999 pas përfundimit të luftës në Kosovë, me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të administruar territorin dhe për të mbështetur ndërtimin e institucioneve demokratike.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe forcimit të institucioneve vendore, roli i UNMIK-ut është zvogëluar ndjeshëm, duke u fokusuar kryesisht në lehtësimin e dialogut dhe monitorimin e situatës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme