Ambiciet për Shtëpinë e Bardhë 2028, Hegseth mohon zërat për kandidim, ndërsa AOC riorganizon stafin

Edhe pse zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2028 duken larg, prapaskenat politike në Uashington kanë nisur të trazohen. Emra të njohur nga të dyja kampet – si ai i Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe i kongresmenes progresiste, Alexandria Ocasio-Cortez (AOC) – po përfliten gjithnjë e më shumë si kandidatë potencialë, megjithëse përballen me sfida dhe reagime të ndryshme publike.
Sipas raportimeve nga agjencia ANSA, duke cituar burime të NBC News, ish-prezantuesi i Fox News dhe aktualisht kreu i Pentagonit, Pete Hegseth, ka diskutuar mundësinë e një kandidimi me rrethin e tij të ngushtë. Prania e tij e fundit në Panairin Shtetëror të Ajovës – tradicionalisht pika e nisjes për fushatat presidenciale – ngriti menjëherë spekulime rreth ambicieve të tij politike.
Megjithatë, Hegseth i ka hedhur poshtë me forcë këto zëra. Përmes një reagimi në rrjetin social X, ai e cilësoi lajmin si “100% të rremë”, duke theksuar se fokusi i tij i vetëm mbetet drejtimi i departamentit.
Të njëjtën linjë mbajti edhe zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, i cili këmbënguli se spekulimet janë të pabazuara. Pavarësisht se strategët republikanë shohin te Hegseth elemente të popullaritetit të lëvizjes MAGA, sondazhet e fundit e nxjerrin atë prapa figurave si Zëvendëspresidenti J.D. Vance apo Sekretari i Shtetit Marco Rubio.
Në kampin demokrat, lëvizjet duken më konkrete. Sipas Axios, Alexandria Ocasio-Cortez ka nisur një riorganizim të thellë të stafit të saj. Menaxheri i saj i hershëm i fushatës, Oliver Hidalgo-Wohlleben, pritet të largohet në shtator, ndërsa rolin e tij e ka marrë përkohësisht ndihmësja Fiorella Bini.
AOC mbetet një nga figurat më ndikuese mes votuesve të rinj dhe krahut progresist, por daljet e saj të fundit publike nuk kanë kaluar pa kritika. Pas një fjalimi të mbajtur në Uashington për përvjetorin e fjalimit historik të Martin Luther King, ajo u përball me reagime negative në mediat sociale, ku llogari të lidhura me opozitën e akuzuan për përdorimin e një “theksi të rremë” për të fituar mbështetjen e komunitetit afrikano-amerikan.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




