E paprecedentë/ Papa Leoni XIV voton me postë në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA

Amerikë | 55 minuta më parë

Papa Leoni XIV ka ushtruar të drejtën e tij të votës si shtetas amerikan, duke dërguar me postë fletën e votimit për zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara. Ky veprim përbën një rast të paprecedentë, pasi nuk ka të dhëna për ndonjë Papë tjetër që të ketë votuar pasi është zgjedhur në krye të Kishës Katolike, shkruan Ansa.

Lajmi u konfirmua nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, e cila bëri të ditur se Papa ka dërguar fletën e tij të votimit me postë drejt Çikagos, në përputhje me praktikën e tij të mëparshme të pjesëmarrjes në proceset demokratike. (foto: Ansa)

Konfirmimi i Vatikanit erdhi pas raportimit të gazetës “Chicago Sun-Times”, sipas së cilës Robert Francis Prevost, emri i lindjes së Papës, figuron në listën e personave që kanë kërkuar të votojnë me postë në zgjedhjet e ardhshme në shtetin e Illinois.

Sipas Kim Fladhammer, drejtues i stafit në zyrën e sekretarit të qarkut Will, emri i Prevost është regjistruar mes votuesve që kanë paraqitur kërkesë për votim me postë. Kërkesa është regjistruar më 3 tetor në zyrën e sekretarit të këtij qarku, në zonën metropolitane të Çikagos.

Papa figuron në regjistrin zgjedhor me emrin e tij civil dhe me adresën e vëllait të tij, John, në qytetin New Lenox.

Në deklaratën e saj, Selia e Shenjtë bëri të ditur gjithashtu se Papa ka votuar edhe gjatë viteve kur ka jetuar në Peru, sa herë që i është krijuar mundësia.
“Ati i Shenjtë shpreh bindjen e tij lidhur me të drejtën dhe detyrën e qytetarëve për të marrë pjesë në proceset demokratike”, thuhet në komunikimin e Vatikanit.

Papa Leoni XIV ka tri shtetësi: atë të Vatikanit, të Perusë dhe të Shteteve të Bashkuara. Votimi i tij në zgjedhjet e mesmandatit, tashmë si kreu i Kishës Katolike, shënon një rast të veçantë në historinë e papatit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme