Analisti Sulo: Që në ’91 ka munguar ekuilibri në PD, sulmi ndaj Salianjit sot duket si “film i parë”
Analisti Arion Sulo ka bërë një skaner të situatës historike dhe asaj aktuale brenda Partisë Demokratike, duke u ndalur te mungesa e elitave dhe dominimit të ashpërsisë.
I ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, Sulo vlerësoi se problemi i PD-së nuk është i sotëm, por një fenomen që e ka shoqëruar që në gjenezë. Sipas tij, demokratëve sot u mungojnë jo vetëm themeluesit historikë, por mbi të gjitha fryma liberale dhe intelektualët.
Ndryshe nga sa pretendohet shpesh për profilin e djathtë, Sulo argumenton se PD nuk ka pasur kurrë një frymë të mirëfilltë konservatore.
“Në PD që nga viti ’91, nuk ka pasur madje as frymë konservatore. Ka zotëruar ashpërsia. Historia ka treguar se i mungon ekuilibri,” tha Sulo.
Analisti e lidh këtë mungesë ekuilibri me largimin masiv të trurit dhe figurave intelektuale, një proces që sipas tij nisi herët, që me largimet e vitit 1992 që çuan në krijimin e Aleancës Demokratike (PAD). Duke bërë një paralele me situatën e sotme, ai u shpreh se edhe sulmi ndaj Ervin Salianjit duket si një përsëritje e historisë, ose siç e cilësoi ai, “një film i parë”.
“Kjo do të çojë në rrudhje të partisë,” parashikoi analisti.
Sulo u ndal edhe te debati i krijimit të PD-së dhe teoritë konspirative për përfshirjen e regjimit komunist në krijimin e saj.
Ai i hodhi poshtë zërat për skenarë të tipit “Katovica” apo me regji të Ramiz Alisë, duke e cilësuar Lëvizjen e Dhjetorit si të pastër.
“Janë të gjitha spekulime. Ajo lëvizje ishte e pastër. Fitoi linja e ashpër sepse pjesa më e madhe ishin naivë politikë, por ishin dhe kohë të ashpra. Dolën njerëzit në rrugë që rrëzuan diktaturën dhe s’ishte e lehtë,” përfundoi Sulo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



