Andy Burnham merr sot detyrën si kryeministër i ri i Mbretërisë së Bashkuar

Botë | 3 muaj më parë

Gati një muaj pasi u betua si deputet në Parlamentin britanik, Andy Burnham do të marrë sot zyrtarisht detyrën si kryeministër i ri i Mbretërisë së Bashkuar. Emërimi i tij vjen pas dorëheqjes së Sir Keir Starmer dhe shënon fundin e një periudhe 10-javore me zhvillime të vrullshme në Partinë Laburiste.

Kriza politike nisi pas rezultateve të dobëta të Laburistëve në zgjedhjet lokale në Angli dhe në votimet parlamentare në Skoci e Uells gjatë muajit maj. Edhe pse fillimisht kishte deklaruar se do të qëndronte në detyrë, Starmer njoftoi më 22 qershor dorëheqjen e tij, vetëm katër ditë pasi Burnham u rikthye në Westminster si deputet.

Pas largimit të Starmer, Burnham mbeti kandidati i vetëm për drejtimin e Partisë Laburiste, duke siguruar mbështetjen e 379 deputetëve laburistë dhe duke u zgjedhur lider i partisë. Kjo i hapi rrugën për t’u bërë edhe kryeministri i ri i vendit.

Gjatë paradites, Sir Keir Starmer pritet të paraqesë zyrtarisht dorëheqjen te Mbreti Charles III në Pallatin Buckingham, ndërsa më pas Andy Burnham do të ftohet të formojë qeverinë e re. Me këtë emërim, Burnham bëhet kryeministri i shtatë i Mbretërisë së Bashkuar në një dekadë

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme