Anemia te fëmijët, mjeku: Shkaktar është kryesisht kequshqyerja
Anemia e fituar, apo e thënë ndryshe mungesa e hekurit, është ajo që haset më shpesh te fëmijët. Shkak për këtë është kryesisht kequshqyerja.
Shefi i Shërbimit të Pediatrisë, Robert Rado, thotë se është e rëndësishme ndjekja e një regjimi ushqimor sipas moshës së fëmijës, duke nisur që nga bebet deri te fëmijët më të rritur.
“Ushqimi duhet të jetë i pasur me hekur, në nivele normale, që kryesisht merret nëpërmjet perimeve dhe produkteve të tjera, siç mund të jetë mishi. Nëse kjo sasi nuk merret në vlerat që duhet, atëherë sasia e tij ulet. Sa i përket periudhës së vitit të parë, pas moshës 5 muaj e gjysmë, gjiri nuk përmban më sasinë e nevojshme të hekurit prandaj ne kalojmë në ushqyerje të përzgjedhur. Pra, kalojmë në ushqyerje me gji plus ushqime të tjera,” tha mjeku.
Mjeku Rado thotë se trajtimi për aneminë përfshin përmirësimin e dietës dhe marrjen e suplementeve me hekur.
“Si çdo sëmundje tjetër, mund të jetë formë e lehtë, e mesme ose e rëndë. Format e lehta dhe të mesme trajtohen me hekur nga goja dhe ndiqen për një periudhë të caktuar. Në përgjithësi, për aneminë nga mungesa e hekurit, periudha e trajtimit është të paktën tre muaj, sepse jo e gjithë sasia që ne japim, mbi bazën e dozës së fëmijës, përthithet. Nëse pastaj kemi forma të rënda të mungesës së hekurit, ato trajtohen me hekur intravenoz, pra, është një mënyrë tjetër trajtimi”, tha shefi i Shërbimit të Pediatrisë.
Anemia shoqërohet me një sërë simptomash, si lodhje, dobësi, zbehje të lëkurës dhe mungesë përqendrimi.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




