Angazhimi për stabilitetin, Shqipëria zgjat misionin në Sinai deri në vitin 2029

Aktualitet | 12 muaj më parë

Këshilli i Ministrave (KM) miratoi sot një vendim që zgjat ndjeshëm angazhimin e Forcave të Armatosura (FA) të Shqipërisë në misionin e Forcës Shumëkombëshe dhe Vëzhguese (MFO) në Sinai, Egjipt.

Sipas vendimit, misioni i ushtarakëve shqiptarë, i cili synon vëzhgimin e implementimit të masave të sigurisë të Traktatit të Paqes ndërmjet Egjiptit dhe Izraelit (1979), do të vazhdojë deri në fund të vitit 2029.

Kohëzgjatja e misionit parashikohet të jetë deri më 30 dhjetor 2029, me rotacion vjetor deri në 365 ditë. Efektet financiare do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

Ky vendim vjen pas miratimit fillestar në vitin 2023, kur Shqipëria dërgoi ushtarakët e parë në këtë mision me një afat trevjeçar. Zgjatja për katër vjet të tjera tregon vullnetin e Shqipërisë për të kontribuar në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit rajonal, në përputhje me angazhimet e saj si anëtare e NATO-s.

Misioni i MFO është një nga angazhimet më të rëndësishme paqeruajtëse dhe vëzhguese, ku pjesëmarrja shqiptare forcon rolin e vendit si kontribuues serioz në sigurinë ndërkombëtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme