Anija e flotiljes humanitare drejt Gazës pretendon se u godit me dron nga Izraeli, autoritetet mohojnë sulmin

Botë | 1 vit më parë

Flotilja Globale Sumud (GSF) për Gazën ka raportuar se anija e vet kryesore e ankoruar në portin tunizian të Sidi Bou Saidit u godit të hënën me dron, duke marrë zjarr.

Zëdhënësi i GSF-së akuzoi Izraelin si shkaktar të incidentit, ndërsa Garda Kombëtare e Tunizisë deklaroi se raportimet për një sulm me dron ishin “plotësisht të pabaza”. Sipas agjencisë, zjarri erdhi si pasojë e një bishti cigareje të ndezur ose një çakmaku, që mund të jenë përdorur për t’i vënë flakën një jeleku shpëtimi.

Sipa GSF-së, incidenti ndodhi në “Anijen Familjare” që po lundron me një flamur portugez dhe ku qëndrojnë pjesëtarët e komitetit drejtues të grupit, i cili lobon për ndihma për popullatën e Gazës, si dhe për fundin e luftës Izraelit me palestinezët. Mësohet se mbrëmjen e së hënës rreth orës 11:45, në momentin e sulmit me dron, sipas GSF-së, në bordin e anijes ndodheshin gjashtë persona. Grupi postoi edhe video në rrjetet sociale, duke shfaqur një pajisje të ndezur që ra mbi anijen dhe më pas shpërtheu. Flakët shkaktuan dëmtime te kuverta e anijes dhe dhomat poshtë saj.

“Nuk ka autoritet tjetër që mund të bënte një sulm të tillë, një krim të tillë, veç autoriteteve izraelite. Ata po kryejnë gjenocid prej 22 muajsh dhe janë gati të sulmojnë një flotilje paqësore, të parrezikshme,” tha zëdhënësi i GSF-së, Saif Abukeshek, duke akuzuar Izraelin.

Raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për Palestinën, Francesca Albanese, e cila është bërë pjesë e flotiljes, tha se detajet për sulmin duhen verifikuar, por Izraeli ka një histori të gjatë sulmesh ndaj anijeve që kanë për destinacion Gazën.

“Nëse konfirmohet që ka qenë sulm me dron, do të ishte një sulm dhe agresion kundër Tunizisë dhe sovranitetit tunizian. E them përsëri, nuk mund të vazhdojmë ta tolerojmë këtë dhe të normalizojmë të paligjshmen,” tha Albanese.

Mes më shumë se 50 anijeve që janë pjesë e GSF-së ka aktivistë të njohur nga 44 shtete të botës, si aktivistja suedeze Greta Thunberg dhe politikania portugeze Mariana Mortagua. /AJ

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme