Apeli i GJKKO-së heq sekuestron mbi pasuri me vlerë qindra milionë lekë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka ndryshuar pjesërisht vendimin e shkallës së parë, duke urdhëruar heqjen e masës së sekuestros preventive mbi një sërë asetesh të luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të disa subjekteve tregtare dhe individëve.
Në seancën e datës 2 qershor 2026, gjyqtari Florjan Kalaja, pas shqyrtimit të ankimeve të paraqitura nga shtetasit A.P, M.K, E.B, A.K, si dhe disa shoqëri tregtare, ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për sekuestrimin e vlerave të konsiderueshme financiare dhe pasurive të paluajtshme.
Vendimi i Gjykatës
Sipas vendimit të Apelit, është urdhëruar zhbllokimi i aseteve të shoqërive përkatëse, duke rrëzuar kërkesën e akuzës për sekuestrim për shumat e mëposhtme:
123.629.664 Lekë të shoqërisë *** sh.p.k.
410.595.663 Lekë dhe 94.423.883 Lekë të subjekteve *** sh.p.k.
100.840.264 Lekë të shoqërisë *** sh.p.k.
Përveç vlerave monetare, Gjykata ka urdhëruar heqjen e sekuestros edhe mbi një pasuri të llojit “apartament” në zonën kadastrale ***, e cila i është kthyer subjektit *** sh.p.k. Në lidhje me këto veprime, gjykata ka ngarkuar Prokurorinë e Posaçme, Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




