Arbitrimi dhe Garat, takim me klubet e Kategorisë së Parë për ndryshimet në rregullat e lojës

Kategoria e Parë | 2 muaj më parë

Sektori i Arbitrimit në FSHF, në bashkëpunim me Departamentin e Garave, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë së Parë, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik.

Gjatë takimit u prezantuan ndryshimet dhe sqarimet e reja në Rregullat e Lojës, me qëllim informimin e plotë të klubeve dhe krijimin e një kuptimi sa më të qartë mbi zbatimin e tyre gjatë ndeshjeve.

Në fokus të diskutimeve ishin zëvendësimet dhe procedurat përkatëse, shkeljet dhe sanksionet, vendimmarrja e arbitrave, kohëzgjatja dhe rifillimi i ndeshjeve, penalltitë, faullet dhe sjellja e pahijshme, rivëniet anësore e fundore, goditjet nga këndi, si edhe procedurat për trajtimin dhe vlerësimin e lojtarëve jashtë fushës.

Ky takim vjen në vijim të sesioneve informuese të zhvilluara nga Sektori i Arbitrimit me strukturat e futbollit shqiptar në prag të nisjes së sezonit të ri, duke synuar një zbatim sa më të njëtrajtshëm të Rregullave të Lojës në të gjitha nivelet e garave.

FSHF vijon të investojë në informimin dhe edukimin e aktorëve të futbollit, duke forcuar bashkëpunimin mes arbitrimit, strukturave të garave dhe klubeve, me synim rritjen e standardeve dhe mbarëvajtjen e kampionateve kombëtare.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme