Arratisje spektakolare nga një burg në Milano, shqiptari Taulant Toma pret hekurat e qelisë dhe zbret me çarçafë, “ikën” për herë të katërt

Një arratisje ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në burgun e sigurisë së lartë në Opera, Milano. Protagonist është Taulant Toma, një 41-vjeçar shqiptar, i cili ka mundur të thyejë sigurinë e një prej burgjeve më të njohura italiane duke përdorur metodën më klasike dhe të guximshme: sharrimin e hekurave dhe zbritjen me çarçafë.
Sipas autoriteteve italiane, Toma, i cili duhej të vuante dënimin deri në tetor të vitit 2048, ka prerë hekurat e dritares së qelisë së tij. Më pas, ai ka përdorur çarçafët e lidhur nyje me njëri-tjetrin për të zbritur nga lartësia, duke u zhdukur në errësirë.
Ende mbetet e paqartë se si i burgosuri ka arritur të kalojë muret e rrethimit të jashtëm dhe nëse ka pasur bashkëpunëtorë që e prisnin jashtë perimetrit të burgut.
Për hetuesit italianë, Taulant Toma nuk është një emër i panjohur sa i përket këtyre ngjarjeve. Sipas burimeve nga Policia e Burgjeve (Uilpa), kjo është arratisja e katërt për 41-vjeçarin shqiptar. Rasti i tij më i bujshëm para këtij të fundit ishte në vitin 2013, kur ai u arratis në mënyrë spektakolare nga burgu i Parmës së bashku me një të dënuar tjetër.
Gennarino De Fazio, Sekretari i Përgjithshëm i Policisë së Burgjeve (Uilpa), konfirmoi ngjarjen duke ngritur alarmin për gjendjen e rëndë të sistemit penitenciar në Itali.
“Ende është e paqartë dinamika e plotë, por ky episod konfirmon dështimin e politikave të burgjeve të ndjekura në 25 vitet e fundit. Në burgun e Operas, mbipopullimi është në nivelin 153%, me 1,338 të burgosur për vetëm 918 vende, ndërkohë që stafi i policisë është drastikisht i mangët,” deklaroi De Fazio.
Aktualisht, forca të shumta policore, përfshirë Njësinë Qendrore Hetimore, janë vënë në ndjekje të shqiptarit. Postblloqe janë ngritur në pikat kyçe rreth Milanos, ndërsa kërkimet janë shtrirë në të gjithë zonën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



