Arrestohet 21-vjeçari, mashtronte me kredi të rreme qytetarët

Një 21-vjeçar është vendosur në pranga pasi akuzohet se ka mashtruar qytetarët me kredi të rreme duke përdorur logon dhe emrin e një banke të nivelit të dytë.
I riu me iniciale O.GJ, banues në Laç është vendosur në pranga ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë, shtetasit D. G., 23 vjeç dhe E. Gj., 21 vjeç.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Smart Bank Phishing”, për goditjen e një rasti të mashtrimit kompjuterik. Vihet në pranga autori kryesor i rastit, si dhe procedohen 2 shtetas. Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe në koordinimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, zhvilloi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Smart Bank Phishing”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka zbardhur edhe skemën se si vepronte 21-vjeçari, i cili kishte krijuar një profil të rremë në rrjete sociale, duke përdorur logon dhe emrin e një banke të nivelit të dytë, me qëllim mashtrimin e qytetarëve.
“Ai kontaktonte qytetarët, përmes platformave të ndryshme online, duke iu ofruar kredi të rreme pranë bankës, ndërsa nëpërmjet aksesit të paautorizuar në llogaritë e tyre bankare, arrinte të boshatiste fondet.
Në rastet kur llogaritë nuk kishin para, ai i shtynte qytetarët të depozitonin shuma nga 750 deri në 1 500 euro, me premtimin e rremë të një kredie prej 15 000 eurosh”, shpjegon në njoftimin e saj policia.
Pas zbardhjes së skemës dhe bashkëpunimit mes ekspertëve të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, “u bë i mundur ndalimi i autorit kryesor dhe ndërprerja e veprimtarisë së paligjshme. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm”
Ndërkaq, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Mashtrim kompjuterik”, “Ndërhyrje kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i thirrjeve telefonike”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




