Arrestohet inspektori i policisë në Dibër për dhunë seksuale dhe shpërdorim detyre

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë me dije se ka ndaluar një punonjës policie në Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Bwhet e ditur se është arrestuar inspektori i policisë J.U., i cili më herët shërbente si specialist i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Dibër dhe aktualisht mbante detyrën si specialist në Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër.
Ngjarja lidhet me kallëzimin e një shtetaseje, ndërsa hetimet kanë përfshirë edhe persona të tjerë të dyshuar për kanosje dhe përkrahje të autorit në krim.
Arrestimi i inspektorit u realizua ditën e sotme nga agjentët e AMP, në momentin e hyrjes së tij në territorin e Shqipërisë, pasi ai ishte larguar më herët drejt Kosovës.
Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur më 17 nëntor 2025 dhe ka hapur një zinxhir hetimesh, ku janë përfshirë edhe persona të tjerë.
AMP ka dërguar materiale proceduriale për shtetasen M.U., e dyshuar për “Kanosje për të mos kallëzuar”, si dhe për shtetasin A.K., i dyshuar për “Përkrahje të autorit në krim”.
Pas përdorimit të metodave speciale të hetimit, u zbulua se inspektori J.U. ishte larguar drejt Kosovës, por ditën e sotme ai u ndalua nga agjentët e AMP në momentin që tentoi të hynte në territorin e Shqipërisë.
Arrestimi i tij ka shkaktuar reagim të fortë, duke vënë sërish në qendër të vëmendjes integritetin e uniformës blu.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka theksuar se mbetet e vendosur për të garantuar zbatimin e ligjit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi nga punonjësit e policisë.
Denoncimet mund të bëhen në numrin e gjelbër 0800 9090, në adresën e emailit [email protected], në Whatsapp 0694151511, si dhe përmes aplikacionit “Agjencia Digjitale” të disponueshëm në Play Store dhe App Store.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




