Arrestohet në Gjermani një anëtar i dyshuar i Hamasit – Planifikonte sulme ndaj objektivave hebraike

Prokurorët gjermanë thanë sot se kanë arrestuar një anëtar të dyshuar të Hamasit, të akuzuar për sigurimin e armëve që supozojnë se ishin të destinuara për sulme ndaj institucioneve izraelite ose hebraike.
“I dyshuari u arrestua në autostradë ndërsa hynte në Gjermani nga Republika Çeke”, tha zyra e prokurorit publik federal në Karlsruhe.
Ai do të çohet para një gjyqtari hetues në Karlsruhe, i cili do të vendosë nëse ai do të mbahet në paraburgim.
Prokurorët akuzojnë të dyshuarin me origjinë libaneze për anëtarësim në një organizatë terroriste të huaj.
Në gusht, ai dyshohet se siguroi një pushkë plotësisht automatike, tetë pistoleta dhe mbi 600 fishekë në Gjermani. Më pas besohet se i ka transportuar ato në Berlin për t’ia kaluar një anëtari tjetër të dyshuar të Hamasit, i cili ishte tashmë në paraburgim.
Armët dhe municioni u sekuestruan në kohën e arrestimit.
Muajin e kaluar, prokurorët gjermanë arrestuan tre anëtarë të dyshuar të Hamasit në Berlin, të cilët ndodhen në paraburgim.
Kohët e fundit, autoritetet austriake zbuluan gjithashtu një depo armësh në Vjenë, e cila besohet se i përket të njëjtit rreth të Hamasit, ndërsa një burrë u arrestua në Londër dhe dyshohet se transportonte armë në kryeqytetin austriak.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




