Arrestohet vrasësi i politikanit ukrainas, Policia dyshime se autori ka lidhje me Rusinë

Botë | 1 vit më parë

Kievi tha të hënën se Rusia ishte e lidhur me vrasjen e një politikani pro-perëndimor ukrainas gjatë fundjavës. Deklaratat erdhën pas arrestimit të autorit të dyshuar për ekzekutimin e ish-kreut të Parlamentit ukrainas.

Andrij Parubij u qëllua për vdekje të shtunën në qytetin perëndimor të Lvivit. Policia ukrainase tha se i dyshuari, arrestimi i të cilit u njoftua këtë të hënë, qëlloi Parubijn tetë herë në mes të ditës, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes.

“Ne e dimë që ky krim nuk ishte aksidental. Ka një gjurmë ruse në të,” tha shefi i Policisë Kombëtare, Ivan Vygivsky.

Presidenti Zelenski, duke konfirmuar arrestimin e autorit të dyshuar, tha se ai kishte dhënë dëshminë paraprake. Ministri i Brendshëm, Igor Klymenko, bëri të ditur se dhjetëra oficerë policie dhe forca sigurie u përfshinë në arrestimin e të dyshuarit në rajonin Kmelnitski, në Ukrainën perëndimore.

“Shumë detaje nuk mund të ndahen për momentin. Por mund të them se krimi ishte planifikuar me kujdes, lëvizjet e viktimës u studiuan, u përcaktua rruga dhe u mendua një plan arratisjeje,” deklaroi ai.

Autori, një 52-vjeçar banues në Lviv, u akuzua zyrtarisht për vrasje me paramendim dhe posedim të paligjshëm të një arme zjarri. Autoritetet raportuan se i dyshuari nuk punonte si korrier shpërndarjeje – veshje me të cilën ai ishte maskuar kur kreu ekzekutimin e politikanit ukrainas.

Pas aludimeve për lidhjen e autorit me Rusinë, mediat shtetërore në Moskë raportuan se Parubij ishte në kërkim nga autoritetet ruse që nga viti 2023.

54-vjeçari ishte kryetar i Parlamentit të Ukrainës nga viti 2016 deri në 2019 dhe njihet si një nga figurat kryesore të protestave të viteve 2013–2014 që kërkuan afrimin e Ukrainës me Bashkimin Evropian. Ato protesta u zhvilluan pas vendimit të presidentit të atëhershëm, Viktor Janukoviç, për ta larguar Ukrainën nga BE-ja dhe për t’u afruar me Moskën, një vendim që çoi në rrëzimin e tij nga pushteti dhe largimin drejt Rusisë.

Pas arratisjes së Janukoviçit, Parubij shërbeu për disa muaj në Këshillin e Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme