Artan Lame nderohet në Kolonjë, një rrugë në Ersekë merr emrin e tij

Aktualitet | 1 vit më parë

Historiani, koleksionisti dhe ish-drejtuesi i Kadastrës, Artan Lame, është nderuar në Ersekë, aty ku rridhte origjina e tij.

Këshilli Bashkiak i Kolonjës vendosi që një nga rrugët e qytetit të Ersekës ta emërtojë me emrin e Artan Lames.

“Tani ishte një nga kolonjarët sharmantë të Kolonjës. Njerëz të mrekullueshëm si Tani është krenari që jetuan, punuan dhe i dhanë për pak kohë, për fat të keq, fizikisht, shqiptarisë. Për atë pasionin që ai dëshmonte, virtytet që ai kishte, ne kemi krenarinë që Tani të jetë biri i Kolonjës dhe tashmë e meriton që një nga rrugët kryesore të qytetit të mbajë emrin e tij. Ne jemi krenarë për këtë vendim,” u shpreh kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai.

Familjarët e Lames janë shprehur të emocionuar për nderimin që i bëhet figurës së tij.

“Ndihem po aq krenare sa ç’ndihej Tani për Kolonjën dhe Ersekën e tij. Kur më morën në telefon nga Këshilli Bashkiak i Ersekës dhe më thanë që i është vënë emri rrugës ‘Artan Lame’, ma hoqën gjysmën e dhimbjes që kisha. Isha shumë e lumtur për këtë dhe mezi po e prisja momentin që të inaugurohej,” tha Mirela Lame, bashkëshortja e të ndjerit.

“Në emrin kolonjar ai flinte. Është e çuditshme se sa pasion kishte. I thosha ‘po edhe unë jam libohovite, edhe unë kam Avni Rustemin’. ‘Lëri moj,’ më thoshte, ‘me kolonjarët nuk haheni dot’,” kujtoi nëna e tij, Diana Lame.

“Është një nder për Lamen vetë, por edhe për ne miqtë e tij që përkujtohet në këtë mënyrë,” u shpreh studiuesi Auron Tare.

Prezent në ceremoninë e nderimit ishin familjarë e miq të Artan Lames, njeriut që krenohej me fshatin e tij Qytezë.

Gazetare: Xhensila Lazi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme