Artizanet e Tropojës mbajnë gjallë traditën, veshja tradicionale ndër produktet më të kërkuara
Një grup grash dhe vajzash artizane në Tropojë prej vitesh po punojnë për ruajtjen e traditës së punimeve të dorës, të organizuara në Grupin e Artizaneve të Tropojës.
Drejtuesja e grupit, Dafina Gjeloshaj, thotë se çdo produkt realizohet duke respektuar motivet tradicionale të trashëguara ndër breza.
“Ne bëjmë nga të gjitha llojet nga punimet e Tezgjahut, grepit, shtizat. Së fundi po punojmë edhe sa punët artizan”, tha ajo.
Përveç punës së përditshme, grupi organizon edhe kurse artizanale me synim përfshirjen e të rinjve dhe përcjelljen e zanatit te brezat e ardhshëm.
“Ruajtja e motiveve të vjetra. Ne artizanet i ruajmë shumë fanatizëm motivet autoktone dhe motivet e vjetra. Po mundohemi t’i trashëgojmë edhe tek brez i ri nëpërmjet kurseve artizanale”, tha Gjeloshaj.
Ndër produktet më të kërkuara mbetet veshja tradicionale e Tropojës, një pjesë e së cilës punohet ende në tezgjah.
“Mund të veçojmë veshjen e Tropojës e cila është multipolar. Është një veshje e punuar gjitha me dorë në test dhe me rruaza. Është punim i vjetër dhe ne i ruajmë të gjitha motivet”, u shpreh ajo.
Motivet karakteristike të kësaj veshjeje po gjejnë zbatim edhe në produkte të reja, si çantat artizanale.
“Këto po i risjellim edhe në produkte të vogla. Për shembull motivet që kemi parë në veshin e Tropojës mund ta sjellim në një çantë të vogël artizanale, tha ajo.
Punimet e artizaneve kërkohen veçanërisht nga turistët, ndërsa synimi i grupit mbetet jo vetëm ruajtja e trashëgimisë kulturore, por edhe krijimi i punishteve artizanale lokale që do të ndihmonin zhvillimin e zonës.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




