“As Dua Lipa s’na ndalon dot”! Shkodra Elektronike të ftuarit e parë të PODFESTË

Kulturë | 12 muaj më parë

Podfestë nisi rrugëtimin e tij me të ftuarit e parë Shkodrën Elektronike fituesit e Fest 63 dhe përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovision. Nën moderimin e Drejtoreshës Artistike të Fest- 64,  Elhaida Danit, por edhe në qoshen me pyetjet nga më pikantet e Olti Currit, dyshja shkodrane rrëfeu jo vetëm rrugëtimin në muzikë, kujtimet nga FEST- 63, por edhe pritjen e ngrohtë të publikut shqiptar, dhe jo vetëm, i cili i duartrokiti kaq shumë, Beatriçe Gjergjin dhe Producentin, Kolë Lacën.

Dyshja shkodrane fillimisht garoi në Festival pa e ditur se jeta e tyre artistike, dhe jo vetëm, do të ndryshonte tërërisht kur ata të dilnim fitues nga Festivali i fundvitit në RTSH.

“Nuk e mendonim kurrë se do fitonim. Fillimisht donim të prezantoheshim përpara publikut. Kur pamë emrin te lista përzgjedhëse u shokuam”, tha dyshja e Shkodra Elektronike.

Rrugëtimi i Shkodrës Elektronike edhe në Eurovision u shoqërua më të njëjtën eufori.

“Ne habiteshim sesi dëgjonim fansa që këndonin këngën tonë, këndonin bashkë me ne, aq më tepër në gjuhën shqipe, një gjuhë që nuk është aq e njohur sa ç’mund të jenë gjuhët e tjera”, tha dyshja e Shkodra Elektronike.

Një vit më pas Shkodra Elektronike vazhdon të ketë dashurinë dhe mbështetjen e publikut, ku gjatë kësaj kohe kanë publikuar edhe albumin e tyre dhe këngë të cilat janë pëlqyer nga fansat, ndërsa Beatriçe Gjergji rikthet në Festivalin e 64, këtë herë si kompozitore se bashku me të dashurin e saj, Marçelo Bateli, dyshja simpatike ka kompozuar këngën e një konkurrenteje të re shkodrane, Giti, e cila konkurron në Festival .

“Gitin e njoh qysh të vogël, Ajo më kërkoi një këngë, unë ja krijova dhe ajo e pëlqeu shumë, u çmend pas asaj kënge dhe më tregoi se do të konkurronte në festival. Është bukur të shkruash këngë për të tjerët”.

Por një ngacmim edhe më pikant Shkodrës Elektronike i erdhi pikërisht nga PR i Festivalit të këtij viti, Olti Curri i cili nuk nguroi të ngacmonte dy artistët sa i përket bashkëpunimit të tyre.

Por a mund të ndahen Bea dhe Kola?

Dyshja u përgjigj me finesë se as Dua Lipa nuk mund ti ndajë.

“Kush thërret Shkodrën Elektronike shkojmë të dy, nuk ndahemi asnjëherë”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme