Asfaltohet aksi Krenzë – Nangë në Kukës, investimi vendor lehtëson lëvizjen për familjet
Rruga që lidh Krenzën me Nangën është drejt përfundimit. Në të gjithë gjatësinë e saj, nga kryqëzimi me rrugën e aeroportit deri tek lapidari në Nangë, ka përfunduar asfaltimi i plotë, ndërsa po punohet me koretat, kanalet anësore dhe bankinën e rrugës.
Për banorët duket se ka marrë zgjidhje një prej problemeve jetike, veçanërisht për banorët e lagjes ku kalon kjo rrugë.
“Kjo rrugë na ka shpëtuar të gjithëve lagjen, por edhe na ka lidhur me aeroportin. Është një mrekulli e madhe për ne.”-shprehen banorët
“Rruga ka 30 vjet që ka qenë e padisponueshme për ne, por falënderoj kryetarin e Bashkisë për këtë unazë sepse lidh dy fshatra.”
Rozafat Onuzi, drejtor shkolle në Nangë, thotë se është e domosdoshme të investohet edhe në rrugën e shkollës dhe atë të varrezave për të përmbyllur kështu investimet kryesore të infrastrukturës në Nangë.
Punimet për ndërtimin e kësaj rruge nisën në vjeshtën e kaluar dhe pritet të përfundojnë në fund të muajit prill të këtij viti.
Rruga në fjalë ka një gjatësi totale prej 3 kilometrash. Nis nga degëzimi i rrugës nacionale drejt fshatit Krenzë e më pas në lagjet e fshatit Nangë deri në kryqëzimin e lapidarit.
Pjesë e investimit janë edhe degëzimet dhe disa rrugë brenda fshatit Krenzë dhe lagjeve në Nangë. Fondi i vënë në dispozicion është rreth 43 milionë lekë pa TVSH, i gjithë financim i brendshëm buxhetor i Bashkisë së Kukësit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




