ASHAK-u feston 50-vjetorin, Presidentja Osmani: Akademia mbrojti gjuhën, kulturën dhe interesin kombëtar

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) ka shënuar sot 50-vjetorin e themelimit të saj, një përvjetor jubilar që ka mbledhur personalitete të larta politike nga Kosova dhe Shqipëria.
Në ceremoninë solemne të mbajtur në Prishtinë morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kreu i shtetit shqiptar, Bajram Begaj, si dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Presidentja Osmani, në fjalën e saj, e cilësoi Akademinë si një institucion themelor për shtetin e Kosovës dhe për zhvillimin e mendimit politik e kulturor.
“Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës është qendra ku u formësua mendimi ynë politik dhe institucioni ku lindën idetë që i dhanë drejtim, kuptim dhe themel shtetit tonë. Prej pesë dekadash akademikët e Kosovës kanë punuar në rrethana jashtëzakonisht të vështira kohë pas kohe, por synimi ishte që të mbrohet gjuha, kultura dhe mbi të gjitha të mbrohet interesi kombëtar. Ata kanë kontribuar në formimin politik, arsimor dhe kulturor dhe kanë lidhur shtetin tonë me qendrat botërore të dijes. Kanë artikuluar ide të cilat i dhanë kuptim rrugës sonë për një shoqëri të vlerave dhe për një shtet modern dhe të integruar në institucionet euroatlantike”tha ajo, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm të akademikëve në mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe interesit kombëtar.
Osmani kujtoi se për pesë dekada akademikët e Kosovës kanë punuar në rrethana jashtëzakonisht të vështira, por gjithmonë me synimin për të mbrojtur identitetin kombëtar dhe për ta lidhur Kosovën me qendrat botërore të dijes.
“Në çdo fazë të historisë sonë, Akademia ka qenë një nga institucionet që nuk është dorëzuar.” u shpreh presidentja.
Duke folur për rolin historik të Akademisë, Osmani tha se ajo ka qenë një nga institucionet që nuk është dorëzuar në asnjë fazë të historisë së Kosovës.
“Studimet, arkivat, krijimtaria letrare dhe artistike kanë mbajtur gjallë ëndrrën tonë për liri dhe shtet,” theksoi ajo, duke shtuar se ky përvjetor jubilar është një moment për të shprehur mirënjohje ndaj të gjithë atyre që kanë dhënë mund, djersë dhe jetën e tyre për të ecur përpara si shtet i lirë.
Osmani përkujtoi me respekt të veçantë kryetarin e parë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Esat Mekulin, të cilin e cilësoi si një personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit.
Ceremonia e 50-vjetorit të ASHAK-ut u shënua si një ngjarje e rëndësishme kombëtare, duke reflektuar rolin e Akademisë në ruajtjen e identitetit kulturor dhe politik të Kosovës, si dhe në ndërtimin e një shteti modern e të integruar në familjen euroatlantike.
Ndërsa nga ana e tij, kryetari i ASHAK-ut, Mehmet Kraja derisa foli për 50 vjetët e punës së Akademisë tha se ASHAK-u ndau fatin e vështirë të historisë e gjeografisë së vendit të vetë.
“Bashkë me këtë histori duhet bërë të ditur se Akademia u themelua si e Kosovës dhe e tillë mbeti deri në ditët e sotme, dhe e tillë do të jetë edhe në të ardhmen në të gjitha fazat e zhvillimit të punës së saj. Ajo ndau fatin e vështirë të historisë e gjeografisë së vendit të vetë. Akademia u quajt e Kosovës dhe bashkë me vendin ku u themelua i bëri 50 vjet jetë në një rrugë të vështirë të emancipimit e lidhur ngushtë me vlerat më të larta të humanizmit, mendimit të lirë dhe të progresit. Themelimi të akademisë i kanë paraprirë disa rrethana specifike të zhvillimeve shoqërore e politike në vend”, tha Kraja.
Ai tha se sfida më e madhe e Akademisë së Kosovës mbetet konsolidimi dhe pavarësia e saj institucionale.
“Historia e saj është e lidhur ngushtë me historinë e shtetit të Kosovës duke qenë jo vetëm mbështetëse e të gjitha proceseve politike që e quan Kosovën drejt pavarësisë, ndonjëherë edhe ideatorë e këtyre lëvizjeve me interes për shoqërinë dhe emancipimin e saj shoqëror e kulturor”, tha Kraja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




