Atentati ndaj Bejtjas, Basha: Atentatorët kishin informacion për vendndodhjen e tij, morën masat për eliminim të sigurt

Aktualitet | 3 vite më parë

Atentati i Gentian Bejtjas, ngjarje kjo e ndodhur ditën e premte (15 mars) pranë shtëpisë së tij në Larush të Fushë-Krujës ka qenë në fokus të diskutimit në emisionin “Jetë Shqiptare”.

Eksperti i sigurisë Faik Basha u shpreh se atentatorët kanë patur informacion të sigurt që Gentiani vizitonte shtëpinë dhe morën të gjitha masat për eliminim të sigurt të tij.

“Pozicioni i vendosjes gjeografike të apartamentit ofron njëfarë mbrojtje dhe sigurie për shkak të vendndodhjes. Mendoj se diku larg apartamenteve ka pika të largëta që mund të bëhet vëzhgim i largët., Kjo ka qenë pikë e dobët e vendosjes dhe që e kanë shfrytëzuar atentatorët për të qenë të suksesshëm. Ata kanë pasur informacion të sigurt se Gentiani ndodhej në shtëpi, që e vizitonte herë pas here shtëpinë. Gjatë këtyre kohëve që e kishin në ndjekje, ai ka shkuar atje, ka vizituar prindërit dhe ata kanë patur informacion të herëpashershëm. Duket që është një atentat i mirëorganizuar dhe ka kërkuar kosto dhe kohë të gjatë për të patur një sukses.

Atentatorët kanë kërkuar që kësaj here të mos gabonin dhe për çfarëdolloj arsye që shkonte keq, ata kishin marrë të gjitha masat për një eliminim të sigurt”, tha Basha.

Ky i fundit shton se përdorimi i armës automatik dhe mjetit Range Rover, tregon se atentatorët nuk kishin lënë vend për asnjë dështim. Po ashtu, Basha shprehet se Gentian Bejtja ka qenë në mbikqyrje të herëpashershme.

“Mendoj se ata kanë patur vëzhgim me kamera, dylbi ose me pajisje shtesë që i kanë ndihmuar për të kryer atentatin.

Përdorimi i automatikut në momentin që drejtohet drejt objektivit është fatale.

Thuhet 30 plumba, por nga një video që pash, u gjetën dhe predha akoma të pambledhura sipas dëshmisë së babait. Pra ishte sasi më e madhe e përdorur. U përdor mjet Range Rover për të kaluar çdo lloj pengese që mund të dilte rrugës. Duket si atentat mafioz i mirëorganizuar”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme