Atentati në Elbasan, makina e përdorur nga autorët në pronësi të biznesmenit të vrarë

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja kriminale që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Elbasan ku u qëllua me armë zjarri për vdekje biznesmeni 43-vjeçar Edmond Hyka.
Sipas informacioneve siguruar nga gazetari Enes Molla, mësohet se makina e djegur e cila dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit për t’u larguar nga vendngjarja, ka qenë në pronësi të kompanisë së biznesmenit të vrarë.
Po ashtu, sipas burimeve, qitës ka qenë 1 person, ndërsa bashkëpunëtori i tij ishte shofer në automjetin Audi. Ata dyshohet se kanë pasur informacionin e saktë që viktima ndodhej në karburantin e tij. Në momentin që biznesmeni është drejtuar drejt automjetit të tij, një prej ekzekutorëve ka dalë nga makina dhe ka qëlluar 5 herë në drejtim të Hykës, 2 prej të cilave e kanë kapur në kokë.
Burimet bëjnë me dije se kamerat e sekuestruara mund të sjellin dritë mbi identifikimin e autorëve.
Makina e djegur tip “Audi” u gjet në afërsi të fshatit Mirakë, të Librazhdit, ndërsa brenda saj u gjet e djegur edhe pistoleta tip “Berett”, me të cilën dyshohet se u qëllua për vdekje Edmond Hyka.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme (30 nëntor) në Elbasan, ku 43-vjeçari Hyka sapo kishte dalë nga zyra e karburantit të tij dhe ishte futur në automjetin tip Range Rover, kur një makinë Audi e zezë iu afrua, duke qëlluar drejt tij.
Dy plumba në kokë rezultuan fatalë për biznesmenin, i cili humbi jetën në vendngjarje. Deri tani, të paktën 10 persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, ndërsa po analizohen pamjet filmike të zonës dhe po mblidhen prova të tjera materiale për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Hetimet po zhvillohen në disa pista paralelisht, ndërsa në terren vijon operacioni policor për kapjen e autorëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




