Atentati në Rinas-Eksperti Nako: Tronditëse, vendi ku ndodhi vrasja. Bandave t’u goditen financat

Aktualitet | 12 muaj më parë

Eksperti Pëllumb Nako ka analizuar ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në afërsi të aeroportit të Rinasit ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe u plagos Muçi Shaljani (Sheqeri) i cili ishte edhe drejtuesi i mjetit në momentin e atentatit, por njëherëshj edhe agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Duke folur në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH1, Nako theksoi se përveç se kjo është një ngjarje e rëndë, më të rëndë e bën fakti ku ndodhi ngjarja gjë e cila trondit opinionin publik dhe paraqet një sfidë në raport me sigurinë publike.

“Duhet parë që në momentin e parë kur analizohet një ngjarje e rëndë duhet analizuar në të gjithë komponentët e saj. Kjo sepse vetë vrasja është një ngjarje që e shqetëson dhe trondit opinionin publik.

E dyta, që është më specifike që është më e rëndë me ngjarje të kësaj natyre është fakti i vendit të zgjedhur për të kryer këtë atentat që në rastin konkret pati një viktimë dhe një të plagosur. Ky është problemi më madhor që paraqet në raport me sigurinë publike në përgjithësi.  

Jo vetëm vrasja që ishte e rëndë por edhe vendi ku u zgjodh, kjo bën që shqetësimi të jetë dyfish. Ky është edhe problemi më madhor që duhet parë dhe që të analizohet në mënyrë që gjëra të tilla të ketë mundësi të parandalohen. Në rrjedhën e këtyre viteve u bë e disata herë që ngjarje të tilla të rënda të ndodhin pikërisht atje ku ka prani të gjerë të publik”, tha Nako.

Ai vuri në dukje se një nga elementët që autoritetet dhe sistemi i drejtësisë duhet të ketë parasysh është goditja e elementit financiar të bandave kriminale për të frenuar apo ndaluar aktivitetin e tyre.

Sipas Nakos, goditja e komponentit financiar duke nisur nga pastrimi i parave duhet të merret në konsideratë nga organet ligjzbatuese për të goditur bandat kriminale.

“Sipërmarrja kriminale nuk është gjë tjetër veçse një sipërmarrje me karakter ekonomik por e paligjshme, që ka dhunën, ka armën dhe ka paligjshmërinë brenda saj. Pra, gjithnjë është një lloj biznesi dhe ka qëllim përfitimi.

Në momentet e hetimeve të grupeve kriminale, kryesorja mbetet përveç zbardhja së ngjarjes, është edhe sekuestrimi i pasurive. Sepse këto banda i bën të fuqishme mundësitë ekonomike përmes së cilës korruptojnë njerëz, të blejnë armë të kenë “ushtarë”. Edhe vrasja që ndodhi nuk ndodhi si rrufe në qiell të pastër.

Krimi që ndodhi e shqetëson publikun dhe e rrisin pasigurinë e publikut por krahas ka edhe nga ato që nuk e shqetësojnë publikun.  Prandaj unë e lidha që çdo akt i këtyre bandave duhet gjetur shtegu ligjor për të atakuar komponentin financiar”, u shpreh më tej Nako.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme