Atentati në Tiranë, dyshime për ngatërrim objektivi. Hetimet lidhin ngjarjen me vrasjen në Lezhë

Aktualitet | 2 vite më parë

Atentati me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në zonën e Lundrës në Tiranë, ku mbetën të plagosur katër persona, dyshohet se autorët të kenë ngatërruar shënjestrën. Burime për RTSH thonë se hetuesit dyshojnë se objektiv i atentatit mund të ketë qenë gruaja e të ndjerit Roan Brahimit, djali i 50-vjeçarit që u ekzekutua vetëm pak orë më herët, po ditën e djeshme në Pllanë të Lezhës.

Gruaja e Brahimit përdor një automjet të ngjashëm me atë ku ndodheshin katër personat e plagosur në Lundër, dhe banon shumë pranë me familjen Demiraj, anëtarë të së cilës ishin edhe 4 të rinjtë që u plagosën në Tiranë.

Hetuesit po shqyrtojnë pistën se grupi i armatosur ka ngatërruar objektivin, për shkak të ngjashmërisë së automjetit. Burime pranë grupit hetimor thonë se atentatorët kanë qenë dy persona që lëviznin me motor dhe që kanë hapur zjarr në drejtim të makinës, duke plagosur rëndë katër të rinjtë, mes të cilëve edhe dy të mitur, të cilët rezultojnë pa precedent penal dhe pa konflikte të njohura me ndonjë grup kriminal.

Gjendja më e rëndë shëndetësore është ajo e 11-vjeçarit, i cili ndodhet në reanimacion, ndërsa 17-vjeçari është dërguar në një spital për trajtim. Dy të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë pranë vendngjarjes dhe po punon për identifikimin e autorëve. Deri më tani, dyshohet se atentati u krye nga një grup prej tre personash, dy prej të cilëve kanë qenë qitësit, ndërsa i treti dyshohet se ka mbajtur rolin e vëzhguesit apo drejtuesit të mjetit të shpëtimit.

Po ditën e djeshme, vetëm pak orë para atentatit në Tiranë, në Lezhë u ekzekutua 65-vjeçari Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit, apo i njohur ndryshe dhe me emrin Sidorel Prendi i cili u vra në një atentat mafioz në Athinë në muajin maj të vitit 2024. Dyshohet se autor ishin 4 persona, ku dy prej tyre, të maskuar, kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të viktimës nga një distancë e afërt.

Ngjarjet e ndodhura brenda pak orëve, në Lezhë dhe në Tiranë, po shihen nga hetuesit si pjesë e të njëjtit zinxhir hakmarrjesh për eliminimin e disa anëtarëve të familjes Prendi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme