Autostrada Tiranë-Durrës bllokohet për shkak të punimeve, trafik i rënduar në kryeqytet, policia sugjeron rrugët alternative

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar të hënën për një trafik të rënduar brenda kryeqytetit, si dhe në hyrje e dalje të tij, për shkak të mbylljes së përkohshme të një pjese të Autostradës Tiranë–Durrës.
Bllokimi i qarkullimit erdhi si rrjedhojë e nisjes së projektit “Emergjencë për riparimin e nënshtresave dhe shtresave asfaltike në segmentin rrugor Vorë-Ura e Dajlanit”.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme ndodhen në çdo kryqëzim dhe segment kryesor rrugor, duke menaxhuar qarkullimin. Policia u bën apel drejtuesve të automjeteve që të tregojnë durim, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se punimet do të zhvillohen me segmente, me një kohëzgjatje të llogaritur prej 1 deri në 2 ditë për çdo segment.
Fazat e punës (Krahu Vorë-Durrës):
Vorë-Maminas (Nisur sot)
Maminas-Sukth
Sukth-Fllakë
Fllakë-Mbikalimi i Shkozetit
Mbikalimi i Shkozetit-Ura e Dajlanit
Të gjithë përdoruesit e rrugës këshillohen të përdorin rrugën alternative: Vorë – Maminas – Katër rrugët e Shijakut – Durrës.
Pas përfundimit të punimeve në krahun Vorë-Durrës, do të fillojë puna edhe në krahun tjetër Ura e Dajlanit-Vorë, duke ndjekur të njëjtat segmente dhe afate kohore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




