Avokatët e Veliajt: SPAK-u nuk ka provuar asnjë akuzë, masa e sigurisë joproporcionale

Aktualitet | 1 vit më parë

Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë reaguar pas dërgimit të dosjes penale për gjykim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ata deklarojnë se kryebashkiaku Veliaj vazhdon të mohojë kategorikisht të gjitha akuzat, duke theksuar se në dosjen e përpiluar nga SPAK-u nuk provohet asnjë lidhje mes detyrës së tij si kryebashkiak dhe dhënies së privilegjeve kompanive, ashtu siç nuk provohet asnjë abuzim me detyrën.

Sipas përfaqësuesve ligjorë të Veliajt, gjykata do të jetë ajo që do të vlerësojë akuzat ngritura, pasi asnjë gjyqtar paraprak apo gjykatë nuk ka shqyrtuar ende provat e paraqitura nga SPAK-u.

Ata shprehin shqetësim për shpërfilljen e normave bazë të një sistemi demokratik të drejtësisë, duke theksuar se deklaratat publike të prokurorisë janë në kundërshtim me prezumimin e pafajësisë dhe mund të krijojnë paragjykim.

Avokatët kanë vënë në dukje se procesi hetimor ndaj Veliajt “është nisur mbi një kallëzim anonim dhe të falsifikuar, është zhvilluar pa autorizime ligjore të vlefshme, ka përfshirë hapje të korespondencave private pa leje gjykate dhe ka mbështetur deklarime vetëinkriminuese të marra nën presion”.

Ata gjithashtu pretendojnë se hetimi është drejtuar nga persona pa statusin ligjor të prokurorit dhe ka shkelur në mënyrë flagrante afatet hetimore, duke mohuar të drejtën e mbrojtjes.

Sa i përket masës së sigurisë, avokatët e cilësojnë si jashtëzakonisht disproporcionale dhe jo proporcionale qëndrimin e Erion Veliajt në qeli, duke theksuar se kjo masë e pengon atë të ushtrojë detyrën e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, një mandat të cilin ai e ka fituar me mbështetjen e 160 mijë qytetarëve.

Përfaqësuesit ligjorë të kryebashkiakut Veliaj u shprehën se janë të vendosur të çmontojnë çdo pretendim të ngritur nga SPAK-u gjatë procesit gjyqësor, duke mbrojtur jo vetëm qytetarin e parë të Tiranës, por edhe besimin e qytetarëve te drejtësia dhe rendi kushtetues.

Ata theksojnë se çdo rresht i kërkesës për gjykim do të kundërshtohet në gjykatë, bazuar në ligj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme