Avokatja Kasmi: Ngjarjet në drejtësi, pjesë e intimidimit në terren

Aktualitet | 1 vit më parë

Avokatja Brikena Kasmi, e ftuar në emisionin “3D” të moderuar nga Alban Dudushi në RTSH1, ka komentuar arrestimin e avokatit Ulian Bajrami pas përplasjejes së tij me prokurorin gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit, duke e cilësuar si një akt intimidimi në sistemin e drejtësisë.

Sipas saj, ky rast reflekton një klimë tensioni dhe presioni që po ndikon te aktorët e drejtësisë, përfshirë avokatët dhe prokurorët.

“Jam shumë dakord me kodin e etikës, por nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe kodin e etikës së prokurorisë, ekzaktësisht të njëjtat të drejta procedurale, të njëjta të drejta të etikës personale që raportojmë brenda në sallë,” u shpreh Kasmi.

Ajo theksoi se mosha e re e avokatëve dhe prokurorëve mund të ketë ndikuar në keqinterpretimin e situatës, duke shpjeguar se “duhet të kemi parasysh moshën sa i përket avokatëve të rinj sepse koiçidon që edhe avokati edhe prokurori kanë një moshë të re. Pjesa e kodit të fjalëve mund të jetë pjesë kërcënuese dhe kemi shkuar në këtë gjë.”

Kasmi argumentoi se incidenti është pjesë e një klime më të gjerë intimidimi në terren, e nxitur nga politizimi i sistemit të drejtësisë.

“Unë besoj që është pjesë e intimidimit që për shkak të të gjitha ngjarjeve që kanë ndodhur në sistemin e drejtësisë. Për shkak se sistemi i drejtësisë është bërë shkak i mollës së shmangies së debateve politike. Pra, politikanët nuk janë duke u marrë se çfarë kanë bërë për popullin shqiptar, por janë duke u marrë hidh e prit topat me drejtësinë shqiptare,” deklaroi ajo.

Ajo shtoi se kjo situatë po ndikon negativisht te të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, përfshirë avokatët.

“E gjithë kjo pjesë e intimidimit që po ndodh në terren, ka ndikim edhe te aktorët e drejtësisë, edhe te avokatët,” tha Kasmi.

Lidhur me deklaratën e avokatit Bajrami se “do të merrem personalisht me ty” drejtuar prokurorit, ajo vuri në dukje se mund të jetë keqinterpretuar: “Patjetër që mund të jetë edhe për shkak të ngarkesës që prokurori në fjalë, fjalinë ‘do të merrem personalisht’ mund ta ketë lexuar si kërcënim. Disa mund ta marrin për kanosje, disa jo për kërcënim.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme