Babai i 15‑vjeçarit të vrarë në Durrës: Djali im nuk kishte asnjë konflikt, vetëm shoqëroi shokët

Adem Boba, babai i 15‑vjeçarit Erjon Boba, i cili humbi jetën në spital ditën e djeshme (4 dhjetor), si pasojë e plagëve të shkaktuara me thikë disa ditë më parë pas një sherri mes adoleshentëve në Durrës, ka deklaruar se djali i tij nuk ka qenë i përfshirë në konflikt. Sipas tij, i mituri thjesht kishte shoqëruar shokët e tij, të cilët i kishin kërkuar t’i dërgonte me makinë për t’u sqaruar me disa persona të tjerë.
Në një prononcim për mediat, Adem Boba theksoi se djali i tij nuk njihte askënd nga personat e përfshirë në konflikt dhe se nuk kishte asnjë arsye të ishte pjesë e sherrit.
“Djali ka qenë duke shkuar për punë. I kanë dalë disa shokë të vet dhe i kanë thënë që hajde me ne se kemi diçka për të sqaruar. Kështu ka nisur konflikti. Djali im nuk ka pas lidhje me ngjarjen, thjesht i ka dërguar atje dhe më pas do ikte në punë. Nuk i njihte ata personat. Djali ka qenë në shkollë deri në orën 12 dhe më pas është nisur për në punë. Mua më kanë marrë në telefon dhe më kanë thënë hajde se është shumë rëndë në spital. Nuk ka patur asnjë konflikt sepse do më kishte thënë. Ai shkoi thjesht për të shoqëruar ata shokët dhe më pas ka hasur në rezistencën e atyre personave të tjerë dhe ka ndërhyrë për t’i ndarë”, u shpreh ai.
15-vjeçari u plagos me thikë në pjesën e gjoksit, pak pas mesditës së 25 nëntorit, vetëm 20 minuta në këmbë nga shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësonin të dy nxënësit e përfshirë në konflikt. Fatkeqësisht ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marrra dhe ndërroi jetë ditën e djeshme (4 dhjetor), ndërsa u përcoll sot drejt banesës së fundit. Burimet policore thanë se sherri nisi nga një koment në rrjetet sociale dhe ofendimeve të vazhdueshme në shkollë, të cilat më pas degraduan në plagosje me thikë. Më 27 nëntor Gjykata e Durrësit konfirmoi masën e arrestit me burg për autorin 14-vjeçar me inicialet M.K.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




