Balla: Dënoj sulmin e Berishës ndaj ambasadorit Gonzato. Kryedemokrati: Ambasadori ka kërkuar votimin e pr.ligjit “Për Barazinë Gjinore”

Politikë | 12 muaj më parë

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka dënuar ashpër deklaratën e bërë nga Kryedemokrati Sali Berisha se ambasadori i BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato ka kërkuar votimin e projekt ligjit “Për barazinë gjinore”, duke e cilësuar si një sulm.

Balla theksoi se Berisha vijon sulmet e përsëritura kundrejt ambasadorëve të SHBA-së duke shtuar se, kjo ka qenë dhe një prej arsyeve për shpalljen e tij “non grata”.

Balla theksoi se do të depozitojë një kërkesë pranë Komisionit të Etikës që Berisha të japë shpjegimet mbi akuzën e bërë.

“Dënoj ashpër sulmin që sapo ndodhi në këtë foltore kundrejt ambasadorit të BE-së në Shqipëri. Ky sulmi përsëritur nga i njëjti individ prej 35 vitesh kundër ambasadorëve të SHBA-së, kundër ambasadorëve të vendeve mike, kundër ambasadorit të BE-së këtu, bie ndesh me parimet e Konventës së Vjenës dhe interesin kombëtar. Bashkimi Evropian mbetet partneti ynë më i rëndësishëm dhe Shqipëria brenda 2030 do jetë anëtare e BE-së.

Pavarësisht orientimit juaj aspak në favor të kësaj aspirate historike.

Do depozitojmë kërkesë pranë komisionit të etikës së Kuvendit që deputeti në fjalë të japë shpjegime dhe Kuvendi të ndalë njëherë e përgjithmonë sulmet. SHBA-të e kanë bërë vendimin e tyre se sulmet e përsëritura kundër ambasadorëve janë një prej arsyeve të shpalljes së tij non grata. Zotëria sapo gënjeu publikisht”, deklaroi Balla.

Berisha deklaroi në Kuvend se është informuar prej një gazetari se ambasadori i BE-së Silvio Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit “Për Barazinë Gjinore” .

“Një gazetar më tha se Ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit. I kërkoj të nderuarit ambasador të  nxjerrë cila direktivë e BE-së e kërkon një gjë të tillë, t’u thotë shqiptarëve se direktivat janë aty, se ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE-së. Sepse ky ligj është hedhur poshtë nga Kushtetuesja franceze në 2016-të”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme