“Ballkani sa më shpejt në BE”, shefi i Konferencës së Sigurisë në Mynih: Europa ka nevojë për ju!
“Vende si Shqipëria apo edhe Mali i zi duhet të bëhen sa më shpejt anëtare të Bashkimit Europian pasi siguria që eksportojnë është jetike për Unionin. Apeli vjen nga një prej ekspertëve më të njohur të sigurisë në Europë, Benedikt Franke, drejtor Ekzekutiv i Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Në një intervistë ekskluzive për Radio Televizionin Shqiptar, zoti Franke kërkon më shumë komunikim mes Unionit dhe vendeve aspirante.
“Besoj se Shqipëria, por edhe Mali i Zi meritojnë një lëvdatë të madhe, edhe udhëheqja politike e ka merituar një lavdërim të madh. Por sipas meje nuk është ende mjaftueshëm. Shqipëria, Mali i Zi, por edhe vende të tjera, duhet të duan të hyjnë në Bashkimin Europian, sa më shpejt të jetë e mundur dhe ato duhet ta bëjnë gjithnjë e më të qartë se pse kjo është diçka e mirë edhe për BE-në. Shumë e kanë kuptuar por jo mjaftueshëm dhe unë besoj se këto vende të rajonit kanë kaq shumë për të ofruar, kanë një kapital njerëzor kaq të mrekullueshëm, të arsimuar shumë mirë, pothuajse njerëz të gatshëm për të punuar. Fatkeqësisht ende në kokat e njerëzve është i ngulitur imazhi i krimit të organizuar dhe mungesa e stabilitetit. Ne e dimë se sa shumë po bëhet por ende nuk po komunikohet sa duhet ajo që po realizohej”, u shpreh z. Franke.
Nga ana tjetër z. Franke fton që të përdoret çdo platformë për të rritur shkëmbimet mes palëve dhe për këtë merr si shembull praninë e Shqipërisë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, të cilën e drejton prej vitesh.
“Para disa vitesh do të kisha thënë se çfarë do të sillte një samit i vogël në një port jahtesh në Malin e Zi…por mendimi im ka ndryshuar sepse ne nuk flasim sa duhet me njëri tjetrin, ne nuk shihemi mjaftueshëm, ne nuk shkëmbejmë sa duhet eksperienca me njëri tjetrin, sepse ne jetojmë në flluskat tona të vogla. Ne duhet ti hapemi më shumë njëri tjetrit, duhet të komunikojmë më shumë me njëri tjetrin dhe çdo samit i vogël apo i madh, por sidomos të mëdhenj si ky këtu, luajnë rol të rëndësishëm dhe japin kontribut të madh, por vendet do të duhet të duan ti përdorin ndaj gjej rastin të përsëris ftesat për qeverinë shqiptare dhe atë të Malit të Zi: përdoreni edhe konferencën e sigurisë së Mynihut! Edi Rama është një mik që shihet me mjaft dëshirë në Mynih, ne duam ta shohim edhe më shpesh, duam të shohim edhe më shumë nga ministrat e tij, ne duam më shumë shkëmbime me vendet e rëndësishme të këtij rajoni”, tha drejtori ekzekutiv i Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Sipas z. Franke, të dyja palët ia kanë nevojën njëri-tjetrit më shumë se kurrë, nga njëra anë BE-ja që kërkon gjithçka që ofron Ballkani Perëndimor, dhe nga ana tjetër rajoni ynë, që më shumë se kurrë ka nevojë për integrimin në BE.
Intervista e plotë e z. Franke me gazetarin Nolian Lole
Si do ta përcaktonit arkitekturën aktuale të sigurisë në Europë sidomos duke pasur parasysh konfliktet aktuale si dhe zhvendosjet gjeopolitike.
“Besoj se është shumë e thjeshtë për të konstatuar që situata nuk është aq e sigurt sa do të donim të ishte. Duhet të bëjmë më shumë, se kemi fjetur më shumë se ç’duhet dhe se tashmë ka ardhur koha që të investojmë seriozisht, të bashkëpunojmë seriozisht, të shfrytëzojmë në mënyrë serioze mundësitë e përbashkëta duke marrë më shumë detyra përsipër të cilat deri më sot ja kishim lënë t’i zgjidhnin amerikanët.”
A është Europa, sipas jush e gatshme sa duhet për të përballuar kërcënime të reja hibride, si kriminaliteti kibernetik, fushatat e dezinformimit, apo për të përballuar sulme ndaj infrastrukturave kritike?
“Jo aspak nuk është. Në asnjë lloj mënyre asnjë vend europian. Por unë shoh përmirësime të dukshme, në disa vende europiane. Nëse shihni kontratën e koalicionit qeverisës në gjermani, do të vini re një fokus të qartë te kërcënimet hibride, do të vini re edhe një fokus te rezilienca, por edhe te mbrojtja e infrastrukturës kritike. Do të duhet të jetë edhe më shumë e nevojshme për sektorë të tillë prandaj duhet bërë më shumë.”
Ne jemi këtu në Ballkan. Pse sipas jush Ballkani Perëndimor është një rajon shumë i rëndësishëm në aspektin gjeostrategjik për sigurinë dhe stabilitetin e tërë Europës?
“Për shkak të shumë arsyeve, mund të rri disa orë duke i përmendur këtu arsyet se pse shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të anëtarësohen sa më shpejt në bashkimin Europian. Sepse ne kemi nevojë për energjinë kreative të këtij rajoni, sepse ne kemi nevojë për stabilitetin e këtij rajoni. Konflikte si ai mes Kosovës dhe Serbisë apo ai në Bosnje na shpërqendrojnë në mënyrë të panevojshme, na angazhojnë kapacitete dhe fonde duke bërë që ky rajon të jetë më i varfër se sa duhet të ishte dhe të mbetet në vend numëro.Ju nuk e merrni me mend se çfarë shansesh ka këtu. Se çfarë mund të ndërtohej, nxirrej, prodhohej dhe investohej. Dhe unë shpresoj shumë që edhe këtu të jetë dëgjuar thirrja e zgjimit të amerikanëve.”
Si mund të kontribuojnë vendet e rajonit në mënyrë më aktive për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjes europiane?
“Besoj se në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, duke përmbushur detyrimet që i përcaktohen nga procesi i qartë i anëtarësimit në Bashkimin Europian. Shumë vende të këtij rajoni nuk janë ende gati të bëhen anëtare të Bashkimit Europian. Këtu duhet bërë më shumë. Më shumë stabilitet politik. Gjërat që përmenda shpërqendrojnë. Mos bini pre e fushatave dezinformuese të Rusisë, që duan t’ju çojnë në drejtimin e gabuar, por përqendrohuni të krijoni stabilitet, të rrisni mirëqenien dhe të shtoni mundësitë. Çdo gjë tjetër ju shpërqendron!”
Por a shihni rreziqe nëse NATO dhe BE nuk angazhohen më fort në rajon?
“Unë shoh rreziqe të mëdha dhe ne duhet të bëjmë shumë më tepër.Fakti që kryediplomatja e BE-së Kaja Kallas e nisi punën me turin e saj në Shqipëri, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinë, ishte një sinjal i qartë që BE-ja ka një interes të madh këtu. Apo fakti se rajoni është përmendur qartë duke u shkruar në kontratën e koalicionit në Gjermani,apo në kontratën e riarmatimit ku shkruhet se ne vendet e Bashkimit Europian nuk e kemi harruar Ballkanin Perëndimor, përkundrazi ne do të shtojmë përpjekjet, do t’i dyfishojmë ato, por tani duhet që edhe ju të bëni edhe më shumë se sa po bëni.”
Shqipëria për shembull në vitet e fundit ka marrë një rol aktiv brenda NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara. Si do ta përcaktoni kontributin e vendit për sigurinë rajonale dhe atë europiane?
“Besoj se Shqipëria, por edhe Mali i zi meritojnë një lëvdatë të madhe, edhe udhëheqja politike e ka merituar një lavdërim të madh. Por sipas meje nuk është ende mjaftueshëm. Shqipëria, Mali i Zi, por edhe vende të tjera,duhet të duan të hyjnë në Bashkimin Europian, sa më shpejt të jetë e mundur dhe ato duhet ta bëjnë gjithnjë e më të qartë se pse kjo është diçka e mirë edhe për BE-në. Shumë e kanë kuptuar por jo mjaftueshëm dhe unë besoj se këto vende të rajonit kanë kaq shumë për të ofruar, kanë një kapital njerëzor kaq të mrekullueshëm,të arsimuar shumë mirë,pothuajse njerëz të gatshëm për të punuar. Fatkeqësisht ende në kokat e njerëzve është i ngulitur imazhi i krimit të organizuar dhe mungesa e stabilitetit. Ne e dimë se sa shumë po bëhet por ende nuk po komunikohet sa duhet ajo që po realizohet.”
Çfarë mundësish shihni ju, për Shqipërinë për shembull, për tu integruar edhe më shumë edhe më fort në Iniciativat europiane të sigurisë dhe mbrojtjes?
“Mendoj se mundësitë janë shumë shumë të mëdha, sidomos tani kur duhet të sinkronizohen politikat e prokurimeve. Nuk duhet që të blihet diçka për të cilën ende nuk ka një sistem operimi i cili do të duhej pastaj të blihej nga e para. Interoperativiteti duhet të jetë fjala që të na bëjë të mendojmë njësoj jo vetëm brenda NATO-s por edhe brenda për brenda Europës. Të ecim përpara me shembuj të mirë, të startojmë projekte të përbashkëta, të përfshiheni në projekte të përbashkëta edhe nëse nuk jeni kudo pjesëtarë, pavarësisht kësaj, përfshihuni sepse besoj që mundësit i keni rrugës.”
Çfarë roli luajnë platforma të tilla si kjo ku ndodhemi ESG Adria, në kuadër të politikave të sigurisë, bashkëpunimit rajonal por edhe në nivel europian?
“Para disa vitesh do të kisha thënë se çfarë do të sillte një samit i vogël në një port jahtesh në Malin e Zi…por mendimi im ka ndryshuar sepse ne nuk flasim sa duhet me njëri tjetrin,ne nuk shihemi mjaftueshëm, ne nuk shkëmbejmë sa duhet eksperienca me njëri tjetrin,sepse ne jetojmë në flluskat tona të vogla.Ne duhet ti hapemi më shumë njëri tjetrit, duhet të komunikojmë më shumë me njëri tjetrin dhe çdo samit i vogël apo i madh, por sidomos të mëdhenj si ky këtu, luajnë rol të rëndësishëm dhe japin kontribut të madh,por vendet do të duhet të duan ti përdorin ndaj gjej rastin të përsëris ftesat për qeverinë shqiptare dhe atë të malit të zi: përdoreni edhe konferencën e sigurisë së Mynihut! Edi Rama është një mik që shihet me mjaft dëshirë në Mynih, ne duam ta shohim edhe më shpesh,duam të shohim edhe më shumë nga ministrat e tij, ne duam më shumë shkëmbime me vendet e rëndësishme të këtij rajoni.”
A kanë samite të tilla vërtetë ndikim të vendimet politike apo janë më shumë aty për ndërlidhjen dhe një diplomaci të butë?
“Unë besoj se edhe sikur vetëm të bëhen për tu ndërlidhur apo për një diplomaci të ashtuquajtur të butë do të ishte me shumë vlera për t’i pasur, por besoj gjithashtu se ato kanë një kontribut të madh në procesin e ndërtimit të opinionit. Besoj po ashtu se i krijojnë mundësi politikaneve dhe politikanëve që të testojnë idetë e tyre, të prezantohen dhe të diskutojnë, ndaj sa më shumë takime të tilla të kemi aq më mirë do të jetë.”
Për të hedhur një vështrim në të ardhmen, si do të dukej sipas mendimit tuaj një rend i ri europian i sigurisë dhe mbrojtjes në vitet e ardhshme?
“Besoj se kemi një numër të tërë detyrimesh dhe detyrash që duhet ti plotësojmë, në mënyrë që një rend i tillë të jetë stabël dhe i qëndrueshëm. E para dhe kryesorja që duhet të realizojmë është që në teori të funksionojmë edhe pa amerikanët.Së dyti ne duhet të marrim masat dhe të bëjmë çfarë është e mundur që amerikanët ende të na shohin në mënyrë tërheqëse dhe ta kenë të nevojshme se pse duhet të vijojnë të kenë interes në një rend të tillë.Së treti duhet ta kemi shumë të qartë se ne duhet të jemi gati por edhe të aftë që të mbrojmë veten.Pra komponenti i frikës duhet të jetë mjaft i lartë, ne duhet të ngjallim frikë por nuk duhet të përshkallëzojmë, sepse ne nuk duam një konflikt të përjetshëm me Rusinë, përkundrazi ne nuk duam një Rusi të copëtuar dhe të shkatërruar, ne duam një Rusi të pasur, konstruktive dhe të lumtur, që të na ndihmojë për të çuar Europën përpara por gjithë botën.Ky duhet të jetë qëllimi ynë afatgjatë.Aktualisht kemi nevojë për siguri prej Rusisë dhe për të garantuar këtë akt balance është mjaft e vështirë.Ndaj duhet një rend sigurie i tillë që të merret shembull edhe nga pjesa tjetër e botës.Duhet të jetë një rend sigurie që të nxisë multilateralizmin botëror, që nxit zhvillimin botëror dhe që në përgjithësi arrin të garantojë stabilitet.”
Fjalë shumë të forta por cili do të duhet të jetë roli që mund të luajë shoqëria civile, think tanket dhe aktorët privatë në forcimin e reziliencës europiane, përballë sfidave të sigurisë në Europë?
“Mendoj se shumë qytetarë dhe qytetare, shumë NGO, janë ende vetëm konsumatorë të rendit dhe sigurisë, por ata duhet të kthehen në bashkëprodhues të sigurisë, të gjithë kanë vend për të luajtur një rol. Ne kemi nevojë për të gjitha, nga iniciativa më e vogël te ajo më e madhe, të gjitha.Arsimimi është një kolonë shumë e rëndësishme, specializimi një tjetër kolonë tepër e rëndësishme e sigurisë europiane. Rezilienca dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike europiane, një ekonomi kreative e re që thith fuqi punëtore dhe krijon vende të reja pune, të gjitha këto janë detyra jo të politikanëve që merren me çështjet e sigurisë, por të shoqërisë. Prandaj grupimet e përmendura prej jush marrin një rëndësi të madhe.”
Gazetar: Nolian Lole
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



