Barça, Szczesny pas El Clasico: Moment i mrekullueshëm. Rinovimi? Vendos gruaja ime

Wojciech Szczesny nuk mundi t’i mbajë lotët pas fitores në El Clasico kundër Real Madridit, një fitore që i lejon Barcelonës të vendosë duart në La Liga me një avantazh prej shtatë pikësh ndaj rivalëve të tyre, me tri ndeshje nga fundi. “Gjithmonë përpiqem të kontrolloj emocionet e mia dhe të mos i tregoj ato, qofshin ato pozitive apo negative. Por pas fishkëllimës së fundit ishte shumë e vështirë për mua. Mu mbushën sytë me lot. Ishte një moment i mrekullueshëm”, ka shpjeguar portieri polak për Canal +.
“Isha në pension dhe e gjej veten në këtë situatë. Mund të duket e çuditshme sepse Interi na eliminoi, por kjo Barcelonë është skuadra më e mirë në botë për momentin. Ajo që po bëjnë këta lojtarë të rinj është mbresëlënëse dhe duhet të shpërblehen. Është turp që nuk mundëm të fitonim gjithçka, por u afruam dhe ndërtuam diçka shumë të rëndësishme për të ardhmen”.
Szczesny ka rrëfyer se Barça i ofroi atij një rinovim të kontratës, pavarësisht kthimit të Marc Ter Stegen në fushë. “Nuk e mohoj që më është ofruar një zgjatje për dy vite, por duhet të vendos me familjen se çfarë është më e mira për ne. Mendoj se i detyrohem familjes sime, gruas sime që t’i marrim këto vendime së bashku, ndaj nuk kam marrë ende asnjë”, tha ai.
“Shumica e vendimeve në shtëpi merren nga gruaja ime, dhe unë nuk kam aspak turp për këtë. Zakonisht unë i marr vendimet e futbollit, por është një situatë shumë e pazakontë, duke pasur parasysh që ne ishim të vendosur të vinim këtu për një vit për të arritur ëndrrat tona dhe më pas të kthehemi në lojën e golfit. Do të vendos në javët e ardhshme”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




