Bardhi: Aksioni me dronë është mashtrim si ai me ‘satelitët fantazëm’, problemi është vetë Rama

Politikë | 1 vit më parë

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e ka cilësuar mashtrim aksionin e qeverisë për evidentimin e ndërtimeve pa leje përmes dronëve. Në një postim në Facebook, Bardhi akuzon qeverinë se po e përdor këtë iniciativë si një justifikim për ‘aferën e radhës’ me paratë e taksapaguesve.

Sipas Bardhit, ky veprim është një ‘mashtrim’ i ngjashëm me atë të vitit 2022, kur u njoftua kontrolli i territorit me ‘satelitë fantazëm’.

“Ajo që nuk ndryshon prej 12 vitesh është epoka e mashtrimit të shqiptarëve nga Edi Rama,” shkruan Bardhi. “Ndryshon vetëm ‘mjeti’: nga satelitët kemi kaluar tek dronët!”

Ai thekson se e vërteta e kontrollit të territorit është që njerëzve “u shkelet syri para zgjedhjeve për t’u marrë votën, pastaj shpërthejnë ‘muçërit’ dhe u marrin shpirtin dhe kursimet e jetës.”

Bardhi përfundon duke theksuar se paligjshmëria nuk buron nga njerëzit, por nga vetë qeveria. “Problemi është vetë Edi Rama!” shkruan deputeti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme