Basha rendit arsyet se përse në zgjedhjet e 11 majit nuk duhet votuar për Ramën, Berishën dhe Metën

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, gjatë një komunikimi në rrjetin social Facebook me qytetarë të cilët i kishin adresuar disa pyetje, renditi disa arsye sipas të cilave përse nuk duhej votuar për Ramën, Berishën dhe Metën.
Sipas tij, Rama përfaqëson majën e korrupsionit në Shqipëri dhe kjo është arsyeja se përse disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë janë sot në burg ose po ballafaqohen me drejtësinë.
Ndërsa për Berishën u shpreh se sot po paguan 6 milion dollarë për një vizë, ndërkohë që po të kishte ndjekur rrugën që vetë e premtoi të mospërfshirjes së PD-së në konfliktin me SHBA-në, dhe të lejimit të PD-së të vazhdonte përpara përballjen me Edi Ramën, PD do të ishte në pushtet, ose shumë afër pushtetit.
Lidhur me Metën, Basha u shpreh se kërkon që të votohet vetëm që ti shpëtojë burgut dhe ballafaqimit me drejtësinë.
“Edi Rama është kapur me presh në duar me mikun e tij McGonigal, duke u përpjekur për të më bërë gropën mua, kryetarit të opozitës. Kjo është e faktuar sot. Kjo është e faktuar nga drejtësia amerikane. McGonigal është në burg, i dënuar për korrupsion për atë që bëri kundër kryetarit të opozitës, kundër rivalit për kryeministër, Lulzim Bashës. Kjo është e vërteta për konfidencialitetin tim me Edi Ramën. Se kush bashkoi votat për të mbyllur listat e për të pamundësuar që të çonit në parlament atë që doni ju, e jo kështu, që këdo që votoni ju, shkon në parlament, Ilir Meta, Elvis Roshi me shokë, e di fare mirë se nga kush e keni peshqesh.”, tha Basha.
Sipas tij, Sali Berisha sot paguan 6 milion dollarë për një vizë për të shkuar në Amerikë, ndërkohë që po të kishte ndjekur rrugën që vetë e premtoi të mos përfshirjes së PD në konfliktin me SHBA, sot do ishte në pushtet ose afër pushtetit.
“Lidershipi i vërtetë është kur sakrifikon veten dhe jo të tjerët. Të sakrifikosh PD-në për hallin tënd e pastaj të pretendosh se je shpëtimtar ky është mashtrim. Çfarë bëra unë? Kërkova që PD-ja të vazhdonte të ishte në krah të SHBA-së, sepse vetëm kështu mund të garantohej një përballje e suksesshme me regjimin e Edi Ramës dhe një fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sali Berisha sot paguan 6 milion dollarë për një vizë, ndërkohë që po të kishte ndjekur rrugën që vetë e premtoi të mospërfshirjes së partisë demokratike në konfliktin me SHBA-në, dhe të lejimit të PD-së të vazhdonte përpara përballjen me Edi Ramën, PD-ja do të ishte në pushtet apo shumë afër pushtetit dhe hallet e tij nuk do të kishin nevojë për fatura të kripura 6 milion dollarë për një vizë amerikane.”, tha Basha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




