Bashkimi Europian pret disa “turbullira” nga marrëveshja e re tregtare me SHBA-në

Botë | 1 vit më parë

Bashkimi Europian mendon se marrëveshja me SHBA-në për të tarifuar shumicën e mallrave të eksportuara me vlerën 15 për qind e ka qartësuar disi raportin tregtar me palën amerikane, por tarifimi në disa fusha mbetet ende i paqartë.

Teksa marrëveshja është gati të hyjë në fuqi për pak ditë, Brukseli është në pritje të urdhrave ekzekutivë nga administrata në Uashington në lidhje me uljen e tarifave ndaj produkteve të caktuara, siç janë edhe makinat apo pjesët e tyre, në vlerën e rënë dakord prej 15 për qind.

Një zyrtar i BE-së i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se pala europiane është e përgatitur të kundërpërgjigjet nëse administrata amerikane nuk i përmbahet marrëveshjes.

“Situata kërkon menaxhim. Nuk e kemi zgjidhur gjithçka menjëherë, por themelet i kemi në rregull. E kemi ndryshuar rrënjësisht qasjen tonë me SHBA-në. Të tjerët janë në pozicion shumë më të keq,” u shpreh zyrtari europian në kushtet e anonimatit, duke sqaruar se tarifa 15 për qind nuk i gëzon vendet e BE-së, por mund të ishte edhe më e lartë.

Tarifat mbi produktet farmaceutike dhe materialet gjysmëpërcjellëse, si qarqet elektronike apo transistorët, aktualisht janë zero, por edhe nëse do të rriteshin, marrëveshja parashikon që të mos e kalojnë tavanin 15-përqindësh. BE-ja po punon për të finalizuar edhe një listë produktesh thelbësore që të mos tarifohen kur të shkojnë në SHBA.

“Kemi 48 orë kohë derisa të merret vendimi dhe nuk e kemi humbur shpresën që verërat dhe alkoolet e forta të mund të përjashtohen,” tha të martën Gabriel Picard, kreu i federatës franceze të eksportuesve të verërave dhe alkooleve të forta.

Franca dhe Gjermania janë mes vendeve të BE-së që kanë thënë se negociatorët europianë u treguan të dobët në negociatat me amerikanët.

Një ditë më parë, Bashkimi Europian njoftoi se ka pezulluar për gjashtë muaj kundërmasat e planifikuara për 7 gusht ndaj tarifave të Shteteve të Bashkuara, të cilat ishin diskutuar përpara se të arrihej marrëveshja mes presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen dhe presidentit amerikan Donald J. Trump. /Reuters

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme