Bastiset selia e Federatës Spanjolle të Futbollit, arrestohet

Njësia Qendrore Operative e “Guardia Civil” bastisi selinë e Federatës Spanjolle të Futbollit në Las Rozas, një zonë periferi të Madridit. Sipas informacioneve nga shtypi iberik, ka një hetim për kontratat e supozuara të parregullta në pesë vitet e fundit; thuhet se ka shtatë të arrestuar dhe mes tyre është Tomás González Cueto, këshilltar i jashtëm ligjor i Federatës spanjolle të futbollit dhe një nga njerëzit e besuar të ish-presidentit Luis Rubiales.
Operacioni drejtohet nga Gjykata numër 4 e Majadahonda (Madrid), në koordinim me Prokurorinë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Oficerët thuhet se po hetojnë krimet e dyshuara në lidhje me korrupsionin, keqadministrimin dhe pastrimin e parave. U kryen edhe disa kontrolle në shtëpi private, përfshirë atë të Rubiales, i cili aktualisht ndodhet në Republikën Domenikane.
Hetimi duket se po hedh dritë mbi kontratën e transferimit të Superkupës së Spanjës drejt Arabisë Saudite, të nënshkruar nga presidenti i atëhershëm Luis Rubiales dhe sipërmarrësi dhe ish-futbollisti Gerard Pique. Akuza është korrupsion dhe konflikt interesi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




