BBC, AP dhe Reuters, thirrje Izraelit: Gazetarët në Gaza rrezikojnë të vdesin nga uria

Botë | 1 vit më parë

BBC News, së bashku me tre nga agjencitë më të mëdha ndërkombëtare të lajmeve AP, AFP dhe Reuters kanë publikuar një deklaratë të përbashkët, ku i bëjnë thirrje autoriteteve izraelite të lejojnë hyrjen dhe daljen e lirë të gazetarëve nga Rripi i Gazës, pasi ata rrezikojnë të vdesin urie.

“Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për gazetarët tanë në Gaza, të cilët nuk janë më në gjendje të ushqejnë veten dhe familjet e tyre. Për muaj të tërë, ata kanë qenë sytë dhe veshët e botës. Sot, ata jetojnë të njëjtat realitete të tmerrshme si njerëzit për të cilët raportojnë.“- thuhet  ndër të tjera në këtë dekalratë.

Situata dramatike në Gaza u konfirmua edhe nga vetë Kombet e Bashkuara. Komisionari i Përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, ngriti alarmin se punonjësit e kësaj agjencie po përjetojnë urinë në nivele ekstreme.

“Njerëzit në Gaza nuk janë as të gjallë, as të vdekur. Janë kufoma që ecin. Punonjësve tanë po u bie të fikët nga uria në vendin e punës.“- u shpreh ai përmes një postim në rrjetin social X.

Lazarini paralajmëroi se, nëse kjo situatë vazhdon, i gjithë sistemi humanitar në Gaza rrezikon të shembet. Këto kushte ekstreme kanë nxitur edhe një reagim të fortë nga brenda vetë Bashkimit Evropian.

Më shumë se 60 deputetë të Parlamentit Evropian kanë firmosur një letër drejtuar shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke kërkuar një reagim urgjent ndaj asaj që ata e përshkruajnë si gjenocid dhe uri të qëllimshme.

Autoritetet palestineze kanë thënë se në Gaza nevojiten 500 mijë thasë me miell çdo javë, ndërsa që nga e mërkurë janë lejuar të kalojnë vetëm 166 kamionë, një numër i papërfillshëm  për popullsinë e enklavës bregdetare.

Ndërkohë, gjatë vizitës së tij të parë në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, u tha trupave izraelite se ata ishin duke e ndjekur të drejtën ndërkombëtare, përfshirë rastet kur bëhet fjalë për shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme