BE e shqetësuar për vonesat në Kosovë: Plani i Rritjes me afat të kufizuar

Kosovë | 1 vit më parë

Zyrtarët e Komisionit Evropian kanë shprehur shqetësimin se në Kosovë ende nuk janë formuar institucionet, gjë e cila po vonon ratifikimin e marrëveshjeve të nevojshme për zbatimin e Planit të Rritjes.

Kosova ka të drejtë të përfitojë nga fondet e parafinancimit menjëherë pasi të ratifikohen të gjitha marrëveshjet, por për këtë duhet së pari të konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria e re.

“Plani i Rritjes është instrument me afat të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interesin e Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që vendi të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ky Plan ofron për qytetarët e tij,” – thuhet në mesazhin e Komisionit Evropian. Po ashtu, theksohet se vetëm pas përmbushjes së të gjitha kushteve, mund të bëhet lirimi i fondeve, transmeton RTK.

Plani i Rritjes konsiderohet si paketa më ambicioze e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Bëhet fjalë për një fond prej 6 miliardë eurosh, që do të shpërndahet në formë grantesh dhe kredish me kushte të favorshme.

Në raport me numrin e banorëve, Kosova pritet të jetë përfituesja më e madhe, me mbi 880 milionë euro që mund të përfitojë nga kjo paketë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme