BE-ja mirëpret lirimin e pengjeve izraelite, Kallas: Sukses i madh për diplomacinë, hap vendimtar drejt paqes

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka përshëndetur lirimin e pengjeve izraelite nga Hamasi, duke theksuar rëndësinë e rolit të Presidentit Donald Trump në këtë proces.
Kaja Kallas në një postim në rrjetin social X, e quajti këtë zhvillim një “sukses të madh për diplomacinë” dhe një “hap vendimtar drejt paqes”.
“Lirimi i pengjeve është një sukses i madh për diplomacinë dhe një hap vendimtar drejt paqes. Presidenti Trump e bëri të mundur këtë zhvillim vendimtar,” shkruan ajo.
Hamasi ka liruar 20 pengjet izraelite në Gaza. Në fillim u liruan 7 pengje dhe më pas grupi i dytë prej 13 pengjesh të cilët iu dorëzuan Kryqit të Kuq.
Ndërsa Hamasi përmbush fazën e parë të marrëveshjes, Presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur në Izrael ku është pritur nga një delegacion i madh zyrtarësh, i udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe bashkëshortja e tij Sara.
Armëpushimi hyri në fuqi të premten si pjesë e një plani paqeje të ndërmjetësuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Në këmbim të lirimit të pengjeve, Izraeli do të lirojë rreth 2,000 të burgosur palestinezë – përfshirë deri në 250 që janë dënuar me burgim të përjetshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




