BE konfirmon takimin VIII të Konferencës së Anëtarësimit me Shqipërinë më 26 maj

Shqipëria hyn në fazën e re të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Takimi i VIII i Konferencës së Anëtarësimit me Shqipërinë do të zhvillohet më 26 maj 2026 në Bruksel, sipas Këshillit të Bashkimit Evropian.
Ky takim pritet të shërbejë si një konfirmim i rëndësishëm i progresit të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke vërtetuar përmbushjen e standardeve të ndërmjetme dhe duke vendosur bazat për standardet përmbyllëse të Grupit 1 ‘Themeloret
Sipas faqes së Këshillit të BE, ky grup përfshin kapitujt më të rëndësishëm të negociatave.
Sipas këtij vendimi konfirmohet plotësimi i Kushteve të Ndërmjetme në Grupkapitullin i “Themelorët”, si dhe përcaktohen Kushtet për Mbylljen e negociatave për anëtarësim, për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
Mbajtja e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare hap zyrtarisht rrugën për futjen e Shqipërisë në fazën e mbylljes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ky vendim përbën një moment të rëndësishëm në ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe konfirmon progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve kyçe të procesit të negociatave për anëtarësim, të shtetit të së drejtës dhe konsolidimit të institucioneve demokratike.
Ky vendim vlerëson progresin e Shqipërisë në konsolidimin e reformës në drejtësi, si dhe në funksionimin e pavarur, efikas e integritetin e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të pavarura, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, ky vendim vlerëson progresin në fushën e të drejtave të njeriut, përfshirë lirinë e shprehjes dhe të medias, të drejtën e pronës, respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare, barazinë dhe mosdiskriminimin, në përputhje me standardet dhe vlerat themelore të Bashkimit Evropian.
Vendimi i sotëm rikonfirmon mbështetjen e Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe vlerëson angazhimin e institucioneve shqiptare në zbatimin e reformave transformuese, për forcimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror.
Shqipëria, e mbështetur në progresin e deritanishëm dhe e udhëhequr nga një vizion i qartë evropian, mbetet e vendosur të thellojë reformat dhe rezultatet në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, prokurimit publik, statistikave dhe kontrollit financiar, të Grupkapitullit I “Themelorët” dhe më gjerë, dhe të ecë me ritëm të qëndrueshëm në plotësimin e kritereve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, brenda kësaj dekade.
Ky është Projekti Madhor Kombëtar i Transformimit Evropian të Shqipërisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




